Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka komentuar deklaratat e bëra dje nga ish-ministri i Financave Arben Ahmetaj sa i takon përgjegjësisë për inceneratorët.
Ai tha se Ahmetaj ka të drejtë për faktin se nuk mund të lëvizte ai qeverinë.
“Përgjegjësia absolute për aferën e inceneratorëve, ka vetëm një emër; Edi Rama! Arben Ahmetaj iu tha shqiptarëve dje të njëjtën gjë; nuk isha unë aq i fuqishëm sa të lëvizja qeverinë.
Arben Ahmetaj është mëkatar, por këtu ai ka të drejtë. Kam qenë kryeministër, dhe qeverinë mund ta lëvizë vetëm ai, kryeministri.
S’ka tjetër përveç tij që të mbledhë 17 dokumente për 24 orë. Siç ka ndodhur. Askush nuk mund të lëvizë të gjitha zyrat e administratës, për të grumbulluar dokumente, apo 17 dokumente të firmosura në një ditë. Çfarë tregon kjo?!
Ai i dha këtë mesazh Edi Ramës, por unë ju them ju me përgjegjësi të plotë se ai nuk ka vetëm këtë provë për Edi Ramën.
Mos bëj gjykatësin i tha Edi Ramës.
Ai zgjodhi këtë argument në pamje të parë të pafajshëm, por ai disponon fakte përvëluese për presionin e jashtëzakonshëm të Edi Ramës në këtë aferë.
Arben Ahmetaj është i implikuar, nuk ka diskutim, ua them unë ju, por njëshi në distancë nga të gjithë të tjerët është Edi Rama.
Kurrë një kryeministër nuk mund të firmosë një kontratë për të cilën institucioni kombëtar i specializuar i thotë se është e paligjshme.
Një kryeministër e firmos këtë kontratë vetëm kur e ka personale, kur ai është i verbuar nga pasuria që mund të grabisë me këtë kontratë dhe harron çdo gjë.
Pushteti i çdo kryeministri mbaron aty ku fillon ligji dhe Edi Rama nuk thotë dot që nuk e dija sepse Edmond Ahmetaj ia çoi dy herë me shkrim.
Kjo metodë e negociatave të mbyllura nuk ekziston në ligjin shqiptar dhe nuk praktikohet.”, tha Berisha.