Nënkryetari i PD dhe njëherazi kandidati për Bashkinë e Elbasanit në 14 maj, Luçiano Boçi ka reaguar për situatën në të cilën ndodhet shoqëria shqiptare prej kohësh e helmuar nga qeverisja e majtë.
Duke ju referuar qytetit të Elbasanit me një foto bardh e zi, në postimin e tij në Facebook, Boçi thekson se ‘sikur të mos mjaftonte “çizmja në fyt” e qeverisë Rama, pushteti vendor në shkallë vendi ka shpalosur një filozofi të njëjtë, poshtëruese dhe fyese’.
Sipas Boçit, ka ardhur çasti që njerëzit të vendosin kundër helmit të përditshëm, të cilin janë të detyruar ta pranojnë në emër të mbijetesës.
REAGIMI
Shoqëria shqiptare ka arritur prej kohësh fazën e plotë të helmimit nga qeverisja e majtë. Sikur të mos mjaftonte “çizmja në fyt” e qeverisë Rama, pushteti vendor në shkallë vendi ka shpalosur një filozofi të njëjtë, poshtëruese dhe fyese.
Ka ardhur çasti që njerëzit të vendosin kundër helmit të përditshëm, të cilin janë të detyruar ta pranojnë në emër të mbijetesës. Elbasanit dhe Shqipërisë i duhet një periudhë detoksi nga dhuna psikologjike, një çast i gjatë çlirimi nga frika dhe pasiguria, derisa publiku të rifitojë shprehitë njerëzore të vetë-respektit dhe të guximit qytetar, mbi të cilin ndërtohet sjellja e përgjegjshme dhe qëndrimi vetë-kritik.