Anëtarja e kryesisë së Partisë së Lirisë, Ismeralda Seidolli ka bërë së fundmi një deklaratë ku ka folur për fenomenin e largimit të të rinjve, një fenomen që fatkeqësisht sa vjen edhe rritet. Sipas anëtares përgjegjës për këtë është pikërisht “Rilindja” dhe keqqeverisja e tyre. Si anëtare e kryesisë e Partisë së Lirisë dhe njëkohësisht përfaqësuese e qarkut të Korçës , ajo u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve shqiptarëve që në 14 maj t’i japin përgjigjen e merituar qeverisë, sepse vetëm kështu ky vend mund të ndryshojë.
Deklarata e plotë e anëtares së kryesisë së Partisë së Lirisë, Ismeralda Seidolli :
Përshëndetje!
Jemi në këtë konferencë për të denoncuar fenomenin e largimit të të rinjve për shkak të politikave të keqqeverisjes së Rilindjes.
Prej kohësh largimi masiv i të rinjve nga Shqipëria është bërë një çështje shqetësuese në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.
Ky fenomen është akoma më shqetësues në qytetet e vogla dhe në rrethe, ku të rinjtë në kërkim të një jetese më të mirë, të shtyrë nga kjo qeveri e papërgjegjshme, detyrohen të lënë familjen dhe atdheun e tyre.
Këtij fenomeni nuk i ka shpëtuar as qyteti i Korçës, ku qindra të rinj largohen çdo ditë. Shkollat dhe gjimnazet gjithnjë e më shumë po i frekuentojnë më pak nxënës, disa degë të universitetit janë mbyllur e shumë të tjera rrezikojnë të mbyllen, fshatrat dhe qyteti janë zbrazur nga të rinjtë, dhe e gjitha kjo vetëm si rrjedhojë e papërgjegjshmërisë dhe dashakeqësisë të Rilindjes.
Ky shqetësimi i joni dhe i të gjithë shoqërisë konfirmohet dhe nga Zyra Europiane e Azilantëve. Në vitin 2022, sipas të dhënave zyrtare të publikuara nga kjo zyrë rezulton se rreth 32 mijë shtetas shqiptarë ku shumica dërrmuese të rinj kanë kërkuar azil në vendet e Bashkimit Europian.
60% e shtetasve shqiptarë sipas të dhënave të Zyrës Europiane të Azilantëve kërkuan azil në Mbretërinë e Bashkuar.
Si anëtare e kryesisë e Partisë së Lirisë dhe përfaqësuese e qarkut të Korçës i bëj thirrje të gjithë qytetarëve shqiptarëve që në 14 maj t’i japin përgjigjen e merituar qeverisë së rilindjes duke votuar për opozitën e bashkuar dhe kandidatët e saj.
Në 14 maj, do të rikthehet pluralizmi në pushtetin vendor në të gjitha bashkitë e Shqipërisë. Këshillat Bashkiakë do të jenë një parlament vendor me të rinj, të reja dhe profesionistë të të gjitha fushave që do të përfaqësojë qytetarët dhe problematikat e tyre.
14 maji do të sjellë ndryshimin me çdo çmim për Shqipërinë dhe qytetarët e saj.
Faleminderit!