Anëtari i Këshillit Kombëtar të PD-së, Dorian Teliti, në deklaratën e tij nga selia blu theksoi se arsyeja e pagave të ulëta gjendet te modeli ekonomik i vendit.
Sipas tij ekonomia zhvillohet me kurajo për të luftuar korrupsionin e klientelizmin, dhe vizion për të mbështetur sektoret prioritare.
DEKLARATË E ANËTARIT TË KËSHILLIT KOMBËTAR, DORIAN TELITI
E mbani mend Shqipërinë e 10 viteve më parë?
Kur vendi ynë i bëri ballë krizës boterore të vitit 2008 dhe ia doli më mirë se të gjitha vendet e rajonit…
Kur raportet e institucioneve ndërkombetare shpreheshin se Shqipëria gëzonte rritje ekonomike gjithëpërfshirëse dhe të prekshme nga të gjithë qytetaret, apo përgëzohej qeveria Berisha për rritjen e të ardhurave dhe pagave me ritme disa herë më të larta sesa vendet e tjera…
Gjërat këto 10 vite kanë ndryshuar…për keq!
Revista Monitor ka përpunuar të dhënat për pagat mesatare në rajon ku rezulton se Shqipëria ka pagat më të ulëta krahasuar me vendet e Ballkanit.
Paga mesatare sot në Shqipëri është 520 euro, ndërkohë që mesatarja e vendeve të rajonit luhatet midis 800-900 euro, apo të pakten 40% më të larta.
Konkretisht, paga mesatare në Bosnjë është 893 euro, në Mal te Zi është 885 euro, në Serbi është 880 euro dhe në Maqedoninë e Veriut është 788 euro.
Gjithashtu, gjatë 3 viteve të fundit, vendet e rajonit kanë rritur pagat e punonjësve të tyre me 20-30 apo edhe 40%, ndërkohë që sipas Instat-it, gjatë kësaj periudhe, pagat në vendin tonë janë rritur me 19%.
Për më tepër, me një llogaritje të thjeshtë, nëse marrim parasysh normat e rritjes se çmimeve, paga reale në vendin tonë është ulur ndjeshëm gjate 3-4 viteve të fundit.
Arsyeja e pagave të ulëta gjendet te modeli ekonomik i vendit. Numri i sipërmarrjeve të mëdha është relativisht i ulët, produktiviteti çalon, për shkak të mungesës së investimeve në teknologji, ndërsa baza e sigurimit të punës mbetet vetëpunësimi.
Këto e të tjera janë arsyet pse rinia shqiptare largohet në emigrim, apo pse mjeket, infermierët dhe shumë profesionistë të tjerë largohen nga vendi me qindra çdo muaj.
Nëse duam të zhvillojmë ekonominë tonë, nevojitet vizion dhe kurajo.
Kurajo për të luftuar korrupsionin dhe klientelizmin, dhe vizion për të mbështetur sidomos sektoret prioritare me politika dhe instrumente direkte dhe indirekte, të cilat do përkthehen në të ardhmen e afërt në paga dhe produktivitet më të larte, fuqizim të sipërmarrjes dhe në rritje të mirëqënies për shqiptaret dhe bërthamen e tyre familjare.
Ndaj, një orë e më parë të ngrihemi për t’i dalë zot Shqipërisë, për mirëqënie dhe siguri për çdo shqiptar, këtu, në vendin tonë të bekuar.