Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka reaguar pas raportit të Indeksit Global të Inovacionit për vitin 2022, ku Shqipëria renditet e fundit në rajon dhe në Evropë për inovacionin shkencor.
Përmes një postimi në Facebook, Meta akuzon qeverinë se i ka shpallur luftë profesionistëve, ndërsa shton se kryeministri duhet të largohet që të mos falimentojë vendi.
Postimi i plotë:
Qeveria e Edi Ramës i ka shpallur luftë të hapur profesionistëve, dijeve dhe kërkimit shkencor.
Prova më e qartë është Indeksi Global i Inovacionit për vitin 2022, që e pozicionon Shqipërinë të fundit të rajon dhe Europë.
Shkaqe kryesore për këtë renditje janë mungesa serioze e burimeve njerëzore dhe kërkimore, njohuritë jo të duhura teknologjike dhe sofistikimi jo efiçent i tregut. Performancën më të dobët, Shqipëria e ka sa i takon prodhimeve të dijeve dhe prodhimeve teknologjike.
Ndërkohë vendet e tjera të Ballkanit, si Maqedonia e Veriut dhe Bosnje-Hercegovina janë dhjetëra vende më lart.
Qëndrimi arrogant dhe mungesa totale e mbështetjes për universitetin, për pedagogët dhe studentët duke mos u dhënë atyre asnjë ndihmë konkrete është arsyeja e vetme për këtë situatë të rëndë.
Kjo Qeveri që është e para për korrupsionin në Europë është e fundit për inovacionin shkencor.
Ndaj vetëm largimi një orë e më parë i Edi Ramës shpëton falimentimin e Shqipërisë dhe nxit zhvillimin e shkencës dhe të ekonomisë.