Nga Adelheid Woelfl, DER STANDARD
Pasi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiç pranuan të hënën në Bruksel propozimin franko-gjerman për një marrëveshje normalizimi mes dy vendeve, politikanët opozitarë në të dy vendet e kritikuan marrëveshjen dhe akuzuan Kurtin dhe Vuçiçin për tradhti.
Marrëveshja prej 11 pikash bazohet në traktatin bazë gjermano-gjerman ndërmjet RFGJ-së dhe RDGJ-së e vitit 1972, por nuk do të rezultojë që Kosova të jetë në gjendje të bëhet anëtare e OKB-së, sepse fuqitë e vetos, Rusia dhe Kina janë kundër. Megjithatë, përmes marrëveshjes, Serbia merr përsipër të mos e pengojë më tej Kosovën në rrugën e saj drejt organizatave të tjera ndërkombëtare.
Integriteti territorial
Me marrëveshjen, të dy shtetet pranojnë ‘barazinë e shteteve, respektimin e pavarësisë, autonomisë dhe integritetit territorial të tyre’. Kjo është e rëndësishme sepse Serbia gjithmonë ka pasur pretendime territoriale ndaj Kosovës.
Kosova dhe Serbia duhet gjithashtu të njohin reciprokisht dokumentet dhe simbolet e tyre përkatëse kombëtare, duke përfshirë pasaportat, diplomat, targat dhe vulat doganore.
Kishës Ortodokse Serbe i është dhënë statusi i mbrojtur në Kosovë. Është planifikuar gjithashtu një ‘shkallë e arsyeshme e vetëqeverisjes për komunitetin serb’. Këtu përfshihte ‘mundësia e mbështetjes financiare nga Serbia’.
Serbia insiston për një asociacion të komuniteteve serbe në Kosovë, për të cilin ende nuk është negociuar. Deri më tani ka një propozim nga fondacioni gjerman ‘Friedrich Ebert’, që është në përputhje me ligjin kosovar.
Eksperti gjerman për Ballkanin, Bodo Weber beson se për ‘integrimin e qëndrueshëm të serbëve të Kosovës është e nevojshme që shteti serb të largohet nga Kosova dhe të kthehet mbrapsht i gjithë transformimi autoritaro-kriminal në komunitetet me shumicë serbe’. Megjithatë, propozimi nuk do ta përfshinte këtë. Në Kosovë, ekziston shqetësimi se lidershipi në Beograd mund ta përdorë asociacionin e komunave për të ndërhyrë në punët e brendshme të Kosovës.
Bordi mbikëqyrës
BE e publikoi marrëveshjen në faqen e saj të internetit. Një komision i kryesuar nga BE, do të mbikëqyrë zbatimin e marrëveshjes. Kurti tha se është i gatshëm që të nënshkruajë marrëveshjen që të hënën. Vuçiç, nga ana tjetër, dëshiron së pari të zbatohen marrëveshjet e mëparshme, por mbi të gjitha dëshiron të krijohet Asociacioni i Komunave Serbe.
Presidenti serb, i cili ende nuk dëshiron dhe nuk do ta njohë shtetin e Kosovës, pas takimit në Bruksel, tha: “Ne luftuam sa më shumë në kushte të vështirë për të ardhmen e Serbisë në paqe”. Ai shtoi: “E ruaj betimin tim dhe Kushtetutën e Serbisë, sipas së cilës, Kosova dhe Metohia janë pjesë e Serbisë”.