Kryetari i opozitës, Sali Berisha, deklaroi jashtë sallës së Kuvendit se komisioni hetimor parlamentar është jetik për të hetuar edhe faktorin Deripaska, por edhe rolin e Erion Veliajt në aferën McGonigal.
“Ky njeri nuk ndjen përgjegjësinë me minimale ndaj shqiptarëve për autorësinë që ka në superskandalin e këtij shekulli, në Uotergejtin e shekullit të 21-të.
Së bashku me McGonigal dhe oligarkun rus, Oleg Deripaska, janë tre personazhet më të diskutuar dhe në botën e lirë, mund të them më të përçmuar dhe më të urryer.
Foli sikur nuk ka ndodhur asgjë.
Bëri leximin e aktakuzës sipas tij, duke arritur deri aty që të thotë se kjo që thotë gjykata amerikane, nuk është e vërtetë, ndërkohë që prokuroria amerikane ka në dorë çdo komunikim, çdo bisedë që ky ka bërë, edhe ministrat e tij.
Kjo është një çështje që ky kërkon ta mbyllë me teori boshe.
Krijimi i komisionit hetimor parlamentar është themelor. Ka kryer veprimtari kriminale së bashku me McGonigal.
Ka një lidhje tjetër, të pamohueshme dhe kjo lidhje është Deripaska. Deri në vitin 2018 është sanksionuar në SHBA, por në Tiranë deri në vitin 2020 ka marrë pagesa të rregullta për të gjitha kompanitë e tij të shumta në katër anët e vendit. Janë pagesa nga ente shtetërore.
A e lidhi McGonigal, Ramën me Deripaskën, kjo duhet hetuar. Por faktori Deripaska nuk është vetëm në Nju Jork, por edhe në Shqipëri. Atij i janë disbursuar para të taksapaguesve shqiptare deri në fund të vitit 2022,” tha Berisha.
“Erion Veliaj është një nga më kryesorët në aferën e gjobëvënies dhe blacklistimit.
Merrni rastin e Ylli Ndroqit. Muaj, në mos vite, përpara se të shpallej nongrata, Veliaj shkruante se do e shpallim non grata.
E keni në të gjitha mediat të publikuar.
Kjo do të thotë se ky gjobëvënës bashkëpunonte me ekipin McGonigal, rregullonin letra dhe mashtronin autoritetet.
Pra, komisioni hetimor parlamentar është jetik për të zbardhur të gjithë aspektet e kësaj afere nga më mafiozet në historinë e vendit,” tha Berisha.