Skandali i ri i Ballukut, 94 mijë dollarë qira në ditë, 68 mln dollarë për TEC-et lundruese që nuk janë vënë në punë

0
121

Një skandal i përmasave të papara me TEC-et lundruse të marra me qira për të prodhuar energji, ka përfshirë koorporatën elektro-energjetike shqiptare dhe ministrinë e infrastrukturës dhe energjisë drejtuar nga Belinda Balluku. Që nga dita e ankorimit të tyre në Vlorë vitin që shkoi e deri më sot, këto termocentrale nuk janë vënë asnjëherë në punë, pavarësisht se taksapaguesi shqiptar paguan mbi 94 mijë dollarë në ditë qira, dhe kontrata parashikon që për dy vite kompania Exelerate Energy dhe Renco, që ka fituar tenderin, të fusë në xhep plot 68 milionë dollarë.

Me një këmbëngulje të fortë qeveria shqiptare u investua dimrin e kaluar për të siguruar burime energjetike alternative nga hidrocentralet publike, për të përballuar krizën e çmimeve dhe tharjen e kaskadës së Drinit që në fakt erdhi si pasojë e shfrytëzimit pa kriter nga kesh. Tenderi për TEC-et lundruese u shpall në fillim të 2022 dhe fituesi u shpall në pranverë. Kesh investoi edhe 2.2 mln euro të tjera për ndërtimin e infrastrukturës së aksesimit dhe ankorimit për TEC-et lundruese në portin e peshkimit Triport-Vlorë.

Vetë termocentralet me emra ekzotikë “Tigri 1” dhe “tigri 2” mbërritën nga Bangladeshi në Shqipëri shtatorin e kaluar, ndërsa një javë më pas ministrja Balluku do të mburrej para kamerës të zyrës së saj të shtypit për leverdinë e këtij investimi.

“Sot Shqipëria ka mundësinë të ketë dy njësitë gjeneruese të energjisë në një nga momentet më të vështira, ku i gjithë tregu në të gjitha shtetet, kanë lobuar për të pasur njësitë gjeneruese që ka pasur tregu. Këto janë një fat për ne, pasi do të na ofrojnë një energji elektrike që sot, tregtohet përmes bursave, me më shumë se 600 euro për megawat/h”, ka deklaruar Balluku në 26 shtator 2022.

 

 

 

Por tashmë parashikimet e ballukut për çmimet e energjisë janë rrëzuar, pasi këtë javë në bursën e Hungarisë një megavat orë është tregtuar me rreth 140 euro me bazë ditorë dhe 110 euro me bazë javore, dhe nuk dihet nëse ky investim i kesh ka aktualisht leverdi ekonomike. Qeveria kishte venë si afat fillimin e këtij viti për futjen në operim të TEC-ve, ndërkohë që koha ka kaluar dhe qiraja është paguar pa i vënë centralet në punë. Një hulumtim i faktoje.al, një projekt investigativ gazetaresk që financohet edhe nga USAID, ka zbuluar se arsyet burokratike që TEC-et nuk funksionojnë janë disa:

Së pari, Korporata Elektroenergjetike Shqiptare ende nuk e ka marrë licencën e prodhimit nga Enti Rregullator i Energjisë. Se dyti, KESH-it i mungon edhe sasia e lëndës së parë djegëse që i nevojitet termocentraleve për t’u vënë në punë. Se treti, termocentralet as nuk janë testuar ndonjëherë që nga Shtatori i vitit të kaluar. E fundit, është fakti se tashmë energjia në bursa është më e lirë dhe termocentralet nuk kanë leverdi të vihen në funksionim. E njëjta sasi energjie që do të prodhonin TEC-et lundruese është më pak e kushtueshme nëse blihet.

Mbetet mister arsyeja se përse TEC-et nuk u vunë në funksion që në momentin e parë që mbërritën në Shqipëri, megjithëse paratë për to vazhdojnë të paguhen.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here