Ish-drejtues i lartë i policisë shtetit Shemsi Prençi e cilëson burgosjen e gruas në Shkodër, që vetëm 8 ditë më parë kishte sjellë në jetë djalin e saj, një ngjarje kriminale dhe vrastare.
I ftuar në “Ora e Betit” ai tha se po të ishte oficer policie nuk do ta kishte ekzekutuar vendimin edhe nëse kjo do shoqërohej me masë disiplinore.
Nga ana tjetër ai u tërhoqi vëmendjen ministrit të Drejtësisë dhe kreut të ILD-së.
Prençi: Është kriminale. Të marrësh një grua sapo ka lindur ta çosh në pranga… Vepra penale nuk parashikon dënim të rëndë, së dyti ka dënime alternative që mund ta justifikojnë. Por të isha oficer policie këtë ekzekutim vendimi nuk do ta bëja, do pranoja të ndëshkohesha me masë disiplinore dhe një grua sapo ka lënë maternitetin nuk do ta shoqëroja në polici. Këtu nuk janë arrestuar kriminelët, vrasësit. Fatkeqësi shumë e madhe. Turpi më i madh sot, Ministri i Drejtësisë, kryeinspektori i Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë, nuk e di a i mban shtëpia! Nuk e di a e mban shtëpia atë kryeprokuror dhe atë gjykatës që pasi ka marrë dijeni nuk ka marrë veprimet e duhura për ta çuar në shtëpi atë nënë pavarësisht çfarë vepre penale ka bërë. 32 persona të dënuar me burgim të përjetshëm as gjysma nuk janë, janë liruar nga burgu. Jo se kanë qenë të pafajshëm. 20 ditë pasi kanë liruar të dënuarin me burgim të përjetshëm e kanë shpallur prapë në kërkim ndërkombëtar. E urdhëron politika dhe bota e krimit një gjyqtar të lirojë një të dënuar me burgim të përjetshëm vetëm ta nxjerrrë nga prangat dhe pastaj e shpallin prapë në kërkim ndërkombëtar. Fakti që një drejtësi ka marrë një vendim të tillë për të çuar në burg një nënë që 8 ditë përpara ka lindur është e tmerrshme, vrastare.