Gazetari i kronikës së zezë, Edison Vatnikaj, i ftuar në “Ora e Betit” zbuloi se shefi i stërvitjes së repartit RENEA, që u arrestua sot në makinë me 113 mijë euro në makinë ka qenë i arrestuar dhe në 2015.
Ai sqaroi se Morina, atëherë efektiv i FNSH, teksa shërbente gjatë turnit të tretë si truprojë në një lokal nate sëbashku me disa kolegë të tij kishin dhunuar një klient dhe kishin kundërshtuar policinë.
Vatnikaj: Altin Morina është arrestuar në zonën e Kodrës së Diellit. Është shef i stërvitjes së repartit RENEA, ka qenë në Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë. Me 3 janar të 2015 ka qenë i arrestuar pasi sëbashku me disa kolegë të tij përveç punës në polici shërbenin si badigardë në një lokal nate. Përveçse ka rrahur një qytetar në klab, ka goditur dhe shefin e komisariatit numër 2 në atë kohë.
Ka pasur hetim penal dhe administrativ për punonjësit e policisë, përfshirë Altin Morinën. Por siç duket më pas është shpërblyer me ngritje në detyrë. Është e papranueshme që shefit të stërvitjes të RENEA-s ti gjenden 113 mijë euro, rreth 290.00 lekë të rinj dhe 80 paund në një qese nga ato të ushqimeve.Para të dhëna dorazi. Po verifikohen operacionet policore të RENEA-s, sa prej tyre kemi parë që janë dekonspiruar. Ka dyshime që mund të jetë shpërblyer për një informacion të dhënë. Morina duhet të justifikojë paratë me burime të ligjshme.