“SPAK ka vënë re diçka”, Petro Koçi i ngec kunjën Xhaçkës: Nëse ka tjetërsim të bazës ushtarake të Sarandës, të mbajnë përgjegjësi

0
188

Deputeti i Partisë  Socialiste Petro Koçi, ka folur për situatën aktuale në të cilën ndodhet Partia Demokratike dhe vendimin e KQZ për të mos regjistruar grupimin e Alibeajt, si subjekt zgjedhor.

Përsa i përket vendimit të gjykatës për vulën e PD, ai u  shpreh se ishte i vonuar dhe PS nuk ka asnjë ndikim në këtë çështje.

“Jemi në një situatë ku mazhoranca ka dominancë të thellë. Opozita në terren thuajse nuk ekziston. Ka një perceptim që zgjedhjet janë si në 2019,  gjë që na shqetëson se mos demotivohen njerëzit dhe nuk shkojnë në votime. Ndaj më vjen për të qeshur. Besoj se opozita ka çështje formale për të zgjidhur, që lidhen me logon e kështu me radhë.

Mendoj se interesi i PS ka qenë që kjo çështje të zgjidhet sa më shpejt, sepse duke pasur kohë në dispozicion, sepse interesi ynë do ishte që këta të dalin me dy kandidatë, pra sa më shpejt të zgjidhej aq më shpejt do nxirrnin kandidatët. Unë bashkohem me mendimin se gjykata duhej të kishte vendosur më shpejt.

Me këtë variantin që akoma nuk është ndarë, jemi në zgrip dhe kjo mund të çojë në opsionin që njëra nga palët mund të mos regjistrohet në zgjedhje. Ky argumenti që është PS pas, nuk shkon. Berisha duhet pranuar, e ka tërhequr zvarrë historinë e këtij vendi dhe është në një situatë për herë të parë, që nuk ka çfarë bën më. Është në fundin e tij. Them se me një personazh tjetër mund të ishin më konkurrues”, u shpreh deputeti.

Teksa u pyet për thirrjen e ministres Olta Xhaçka në SPAK, lidhur me hetimin e bazës ushtarake të Sarandës, deputeti socialist u shpreh në “News24” se nëse ka ndodhur një tjetërsim me bazën ushtarake, kushdo që ka përgjegjësi, duhet të përballet me drejtësinë.

“Nuk është se kam ndonjë informacion të detajuar për këtë gjë. Di se ka ndodhur një tjetërsim prone, nuk di si ka ndodhur, është dhënë me qira apo është tjetërsuar, por ligji duhet të veprojë me rreptësi. Ata do kenë parë diçka që nuk shkon me ligjin, ndaj SPAK ka vepruar.

Nëse ka shkelje të ligjeve dhe cënim të interesave të mbrojtjes, sigurisht që kushdo ka përgjegjësi duhet ta mbajë. Xhaçka është personi që mund të japë një përgjigje, sepse e njeh këtë çështje. Unë nuk mund të paracaktohem, e dyta, në fund të fundit është drejtësia ajo që vendos”, tha Koçi.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here