Porti i Durrësit, Rama fshihet pas firmës së Ballukut! Zv.kryeministrja firmosi VKM-në që i jep 800 mijë m2 tokë publike kompanisë

0
138

Me 1 mars të këtij viti, qeveria shqiptare përmes një VKM-je do t’i kalonte në pronësi kompanisë “Albanian Seaports Development”, territorin aktual të Portit të Durrësit, i shtrirë në më shumë së 800 mijë metra katrorë pasuri publike me qëllim për t’i përdorur për të ashtuquajturin projekt i portit turistik të Durrësit.

“Albanian Seaports Development” është kompania shtetërore që është autorizuar nga qeveria për të lidhur marrëveshjen me kompaninë offshore “Eagle Hills Real Estate Development” për ndërtimin e pallateve në territorin e portit. Në këmbim, pala shqiptare do të përfitojë një pjesë të ndërtimit. Ajo që bie në sy është se, si në mjaft koncesione apo vendime delikate nga pikëpamja ligjore, edhe kjo VKM e rëndësishme nuk është firmosur nga kryeministri Edi Rama, por nga zëvendësja e tij, Belinda Balluku.

Ndonëse projekti i portit turistik të Durrësit është propaganduar fort nga mazhoranca, në përfundim të mbledhjes së Këshillit të Ministrave më 1 mars, kur edhe u miratua ky vendim, zonja Balluku nuk doli përballë gazetarëve në konferencën për shtyp që zakonisht mbahet pas çdo mbledhje qeverie. Para kamerave folën, Ministrja e Financave Ibrahimaj, ministri i  Mbrojtjes Peleshi, ministrja e bujqësisë Krifca dhe zëvendës ministrja e Arsimit, Nina Guga, që folën për vendimmarrje të tjera.

Balluku si drejtuese e asaj mbledhje qeverie, por edhe si ministre e linjës që ka rol kyç në këtë projekt, preferoi të mos i jap zë transferimit të mbi 800 mijë metrave tokë publike. Nuk dihet se pse në vendime të rëndësishme, koncesione, investime strategjike, apo projekte të diskutueshme si shembja e teatrit, firma e kryeministri Rama ka munguar, dhe në emër të tij kanë firmosur zëvendës kryeministrat e radhës.

Kështu ka ndodhur me Senida Mesin, Niko Peleshin, Erjon Braçen dhe Arben Ahmetajn. Ky i fundit, një nga bashkëpunëtorët më të afërt të Ramës në qeveri, sot ndodhet në një situatë të sikletshme, me SPAK që e ka vënë në shënjestër për aferën e inceneratorëve, madje edhe duke i bastisur shtëpitë e njerëzve të afërt. Vetë Rama, në një fare mënyre, harroi rolin Ahmetaj pranë tij në qeveri, duke deklaruar në një intervistë televizive më 16 shkurt të këtij viti, se përgjegjësia para drejtësisë është personale.

“Kush gabon rrugë ose i merr koka erë dhe bashkë me qëllimet e shpallura kërkon të realizojë edhe qëllime të tjera, do t’i dalë për zot vetë pastaj”, tha Rama në Opinion.

Kjo deklaratë e Ramës u bë pa u mbushur 2 muaj nga shkarkimi i Arben Ahmetajt si anëtar kabineti. Një ditë, do t’i vijë dhe radha e Belinda Ballukut për t’u larguar nga qeveria, që edhe pse nuk do të ketë me mandat ministreje, firmat e saj  do të jenë aty dhe projektet e shumëpërfolura, po ashtu. Sa rrezikon Balluku me nënshkrimet që hedh në vend të Ramës kjo mbetet për t’u parë, por historia ka treguar se kryeministri i qëndron motos se secili duhet t’i dalë përzot vetes.

“Nëse ne nisemi për në një betejë dhe kemi një qëllim të caktuar dhe rrugës dikush apo disa që janë nisur për të arritur ata qëllim, këpusin dardha dhe mollë për t’i futur në trasta pas shpinës sime, kjo është një çështje që nuk e kanë me mua, por e kanë me drejtësinë”, tha Rama.

Në përgjigje të deklaratës së tij, Arben Ahmetaj u shpreh se “Unë Ed Ramës nuk i kam kërkuar ndonjëherë ndihmë. Por po them vetëm kaq: nuk do të desha të isha në pozicionin e kryeministrit që të pretendoja të bëja gjykatësin. Për mua si sugjerim, siç i kam sugjeruar në vazhdimësi në nëntë vite, të bëjë atë që bën më mirë, kryeministrin. Gjykatësi është pak i sikletshëm, duhet ti njohësh procedurat. Në qoftë se dikush do të më gjykojë mua për shokët e mi, kulak apo partizan, bujrum. Nëse do të më gjykosh për të gjitha veprimet e mia zyrtare, vetë ke thënë, vetë po e thua, unë po e them nuk kam asnjë firmë në procedurë. Si ka mundësi që të jesh ti koka dhe pastaj të kesh fuqi të mbinatyrshme që ti marrësh të gjithë kolegët dhe të bëhet vendim qeverie dhe pastaj bashkia e Elbasanit të nxjerrë…unë duhet të isha guru. Në hetim ka një parim: ndiq paratë. Mund të ndiqet kollaj, kush paguan, ku shkojnë, cilët janë përfituesit, cilët janë përfituesit direktë dhe indirektë, cilat media, cilat NIPT-e, si vazhdon të financohet, kush e ndalon financimin për një nga objektet, mund të jetë sabotim ndalimi i financimit për njërin nga objektet apo jo?”./panorama.com.al

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here