Qytetarët detyrohen t’i drejtohen privatit, poliklinika e Elbasanit nuk i përmbush kërkesat për analiza

0
145

Në laboratorin qëndror të Elbasanit qytetarët nuk mund të kryejnë analizat e nevojshme deri në datën 3 Prill. Mësohet se shkaktar është bërë përfundimi i fondit i cili nuk është rinovuar ende.

Marrëveshja e Ministrisë së Shëndetësisë me koncesionarin që kryen analizat mjekësore ka një numër të përcaktuar analizash. Në 2 javët e para të Marsit, në poliklinikën e Elbasanit janë ezauruar të gjithë kuotat për kryerjen e analizave për këtë muaj. Në këto kushte, për gjysmën tjetër të muajit qytetarët duhet ti drejtohen privatit, por sipas tyre kostot janë të papërballueshme.

“Pensionistët paguajnë pare në privat. Është e papërballueshme se 110 mijë lekë pension merr”

“Po, janë të mbyllura, na thane prisni prillin, është e papërballueshme, është 4-fish, 3-fish më shumë.”

“Me thënë të drejtën gjithmonë i kam marr borxh i kam bërë te privati, do mbytesh në borxh deri ne fyt plus ilaçe.”

“Nuk e dimë se punon apo s’punon se herët e tjera nuk ka punuar dhe i kemi bere ne privat, nuk është e përballueshme sepse unë e kam sëmundjen kronike”- shprehen qytetarët.

Mungesa e materialeve në laboratore ka shkaktuar radha të gjata të qytetarëve që presin për të kryer analizat.

Rastet kur analizat kryhen janë ato emergjente apo të pacientëve të shtruar në spital. Me ardhjen e muajit prill, pritet që të aktivizohen kuotat e reja për kryerjen e analizave mjekësore për qytetarët.

Për këtë situatë, drejtuesit e poliklinikës në Elbasan refuzuan të flisnin për këtë situatë të krijuar, që sipas qytetarëve ndodh thuajse çdo muaj të vitit.

Sigurimet shëndetësore që paguajnë qytetarët për të marrë shërbim duket se shkojnë tek koncesionari privat, i cili nuk mbulon të gjithë ditët e muajit në shërbim të kërkesave të qytetarëve për kryerjen e ekzaminimeve mjekësore.

 

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here