Tani pak rëndësi ka në se shteti ynë monist e regjistron PD-në për zgjedhjet e 14 majit. Nuk ka fare vlerë përpjekja titanike e Ramës për përçarjen e së djathtës.
Shqiptarët do shkojnë në kutitë e votimit si populli më i varfër në kontinent, si populli që ka në zverk qeverinë më të korruptuar në botë dhe si populli që kamzhiku i qeverisë po i largon nga trojet e veta.
Por në këtë 14 maj do spikasin ca vlera që nuk i errëson dot as pordhoganda e rilindjes mafioze. Në mbrëmje, kur do të jepet rezultati, do të dalë fitues Sali Berisha edhe në se do i ketë humbur zgjedhjet. Ose më saktë, edhe pse do ia kenë vjedhur strukturat e shtetit, 900 mijë akt1vistët dhe patronazhistët e jashtëligjshëm.
Ai do të rrijë si një fitues me kurorë dafine në kokë për mësimet që u dha shqiptarëve këto vitet e fundit.
1-Si një sovranist ekzemplar.
Kur veglat e Sorosit e shënuan non grata Sali Berisha nuk u tut. Si nga legjendat e zonës së tij ai u ngrit kundër Bajlozit. Pa e menduar dy herë qëndresën e tij. E dha kushtrim që partia e tij të ngelej sovraniste se ashtu u krijua. U bë rrugës me mijëra shokë, me krahë e flatra. E marshoi drejt malit si një Sfinks nga hiri.
2-Si një dinjitar i pashembullt.
Çoi në gjykatë sekretarin e shtetit amerikan. Të shfaqte provat e akuzave që sajoi. Madje i hodhi dorezën,dhe një provë po nxore largohem nga politika. Askush deri sot nuk ka qëndruar kaq stoik ballë një furtune prej shtetit më të madh.
3-Si një njeri që nga i akuzuar u bë akuzues.
I qeverisjes më grabitëse në glob,i një shteti që vjedh çdo minutë dhe mjerimin e ka politikën më të suksesshme.
4-Si një politikan që zgjeroi mushkëritë e PD-së.
I dha asaj shembuj e kurajë të ndërronte kryetarin kur ai rezultonte peng. Praktikoi primaret duke u dhënë fuqi absolute strukturave të votuara nga anëtarësia.
5-Si një njeri që moshën e ka thjesht numër.
E pamë dhe e shohim në lëvizje, në protesta, takime, mbledhje, vendime. Sot në Shkodër, nesër në Sarandë, pastaj në Korçë e vonë në mbrëmje te Fevziu, Peka dhe në ekrane varg.
Ja pse Berisha qysh tani është fituesi i zgjedhjeve të 14 majit.
Janë plot e plot merita që rrinë varur te veprimet e tij. E deri në mes të majit ato do shtohen me të tjera e me të tjera…