Ish-kryetari i Komisionit Parlamentar të Sigurisë, socialisti Spartak Braho, e cilëson skandaloz emërimin në krye të SHISH të Vlora Hysenit, ish-shefes së Shërbimit Inteligjent të Kosovës. Kryeministri Rama ia propozoi emrin e zonjës Hyseni dje paradite Presidentit të Republikës. Ish-deputeti socialist i kërkon kreut të shtetit të mos e dekretojë zonjë Hyseni në krye të SHISH.
“Nuk e kuptoj se ku e çon logjika Kryeministrin tonë me këtë propozim, unë do ta quaja një aventurier të rrezikshëm dhe një sharlatan që nuk njeh dhe nuk respekton Kushtetutën e vendin”, tha për gazetën “Panorama” zoti Braho.
Ish-themeluesi i Partisë Socialiste shprehet se Shqipëria nuk vuan nga specialistë në fushën e sigurisë me integritet, si të studiuar jashtë shtetit në vendet partnere, ashtu dhe në Shqipëri që mund ta bëjnë në mënyrë të shkëlqyer këtë detyrë sa të shenjtë, aq dhe shumë të rëndësishme për sigurinë tonë kombëtare dhe si anëtar me të drejta të plota në NATO.
“Shqipëria ka specialistë shumë të mirë që kanë studiuar në SHBA apo vendet e BE-së për çështjet e sigurisë, kanë marrë trajnimet e nevojshme për ta përmbushur atë detyrë. Por ai duhet të jetë shtetas shqiptar. Nuk e njoh fare zonjën në fjalë, por flas për parime kushtetuese, të cilat kushdo është i detyruar t’i zbatojë. Edhe nëse ligji nuk e përcakton nëse duhet të jetë nënshtetase shqiptare, por sigurisht që nuk është çuar kurrë në mendje se mund të propozohej një person pa nënshtetësi shqiptare. Presidenti i Republikës nuk duhet ta dekretojë këtë propozim”, u shpreh Braho.