Në fjalimin e tij nga Rrogozhina, kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha, akuzoi qeverinë për gjendjen e mjerueshme që ndodhet vendi yne sot. Berisha u shpreh duke thënë se po ndërtohen rrugë me 24 mln euro km kur në Europë kushton maksimumi 2-3 mln euro, kjo sepse qeveria po vjedh me të gjitha mënyrat e saj.
Fjalimi i Berishës:
Po si ka mundësi që ky njeri të mos mendojë për qytetarët. Çdo qindarkë që mblidhet është e juaja, çdo borxh që merret do të paguhet nga djersa juaj. Pra duhet të ju kthehet ju në një mënyrë apo në një tjetër.
Çfarë ndodh? Paratë që merren borxh, që u vilen ju me taksa, që u grabiten me gjoba, që të gjitha në masën 80-90% vidhen, vidhen dhe vetëm vidhen. Vidhen të dashur qytetarë sepse për ndërtimin e një kilometri rrugë në fushë, e cila në vendet më të pasura në Europë kushton maksimumi 2-3 mln euro. Në Shqipëri 24 mln euro, në Shqipëri kushton kaq sepse vidhen në çdo kilometër 20 mln euro, pra vidhet 8 fishi i çmimit me të cilin ndërtohet.
Kjo ndodh përsëri me shkollat. Kjo ndodh me çdo punë publike që kryhet me paratë tuaja. Rrugët anësore Lekaj-Fier, ndërtohen me 2 herë gjysëm më shtrenjtë seç është ndërtuar rruga kryesore autostrada. Po pse kjo? Vidhen, vidhen dhe vetëm vidhen.
Miqtë e mi!
Nëqoftëse kjo qeveri nuk do të kryente punë publike me çmime 6-10 herë në të larta rrogat tuaja do të ishin më të së paku trefishuar. Ju jeni dëshmitarë. Ne në vitin 2005-2013, rrogat, pensionet i dyfishuam, por ndërkohë ndërtuam 11 mijë kilometra rrugë, sepse ne nuk ndërtonim rrugë në fushë me 24 mln euro. Rrugën në fushë ne e ndërtonim me 1-2 mln euro dhe këto janë të vërtetueshme.
Ne nuk ndërtonim një shkollë me 6 mln euro, sepse në të gjitha manualet e ndërtimit në SHBA dhe botë, shkolla ndërtohet me 700 mijë euro. Dhe nëse shkolla ndërton siç bën zdromsi i Tiranës, ndërton shkollën me 6 mln euro, ai vjedh aty të paktën 80% të fondit.
Si ka mundësi, a duhet të ishte qëllim kryesor, a duhet të jetë qëllim kryesor i një njeriu të votuar nga ju, një njeriu që i keni dhënë besimin, i një deputeti, i një kryebashkiaku, i një ministri i një kryeministri, mëkëmbja juaj, mirëqenia juaj, përmirësimi i jetës tuaj. Nëse ai ka ndjenjat minimale njerëzore ky dhe vetëm ky duhet të jetë qëllimi kryesor i tij dhe i ka të gjitha mjetet për të ju përmbajtur asaj.
Kurse këta jo. Për këta ju jeni qenie inferiore, të përçmuara. Po pse ju konsiderojnë të tillë ata. Vetëm e vetëm se ju vjedhin. Është raporti. Këta qeveritarë kanë me ju, raportin që ka hajduti me viktimën. Mos e harroni këtë. Se vetëm një njeri që ka një raport të tillë, mund ti lejojë vetes të udhëtojë me çarter me dhomë gjumi, 22 mln euro, pavarësisht se e di që ai pensionisti nuk arrin të marrë as gjysmën e ilaçeve që i duhen.
Një njeri që ka përçmim për qytetarët dhe thotë ata kështu janë mirë, mirë e kanë. Blen vazo për oborrin e tij 4 mln euro. Nuk kam dëgjuar kurrë një kryeministër që të bëjë një gjë të tillë. Sepse në ato 4 mln, 3 të paktën i vjedh dhe vetëm i vjedh.