Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ndodhet në Rrogozhinë ku po prezanton dhe kandidatin e bashkisë, Shkëlqim Hoxha. Berisha e nisi fjalimin e tij duke i garantuar të gjithë të pranishmëve se Hoxha do të bëjë gjithçka që të përmirësojë infrastrukturën në territorin e kësaj bashkie, suksesin dhe jetën e qytetarëve atje.
Ndër të tjera shtoi duke thënë:
Të dashur qytetare dhe qytetarë, demokrate e demokratë, banorë të bashkisë së Rrogozhinës!
Një përshëndetjet të përzemërt dhe vëllazërore për këtë pritje të zjarrtë.
Vij këtu për të paraqitur para jush kandidatin tonë për qytetar të parë, kryetar bashkie, Shkëlqim Hoxhën. Shkëlqim Hoxha është e theksoj dhe vetë, një demokrat i fillimeve më të para të demokracisë, por është edhe një demokrat, i qëndresës në ditët më të vështira të PD-së, i cili në vitin 1997-98-99, në një kohë kur PD luftonte për mbijetesë bëri gjithçka aty ku ishte në emigracion dhe më vonë erdhi në Shqipëri për të mbështetur atë dhe suksesin e saj.
Në të gjitha detyrat e ngarkuara ai ka treguar aftësi të veçanta, përkushtim të madh në përmbushjen me nder të detyrave që ju ngarkuan gjatë qeverisjes së PD. Unë ju garantoj ju se Shkëlqim Hoxha me aftësitë e tij, përkushtimin e tij, dashurinë dhe respektin që ai ushqen për ju, qytetarët, qytetaret, fermerët, banorët e kësaj bashkie do të bëjë gjithçka që të ua rikthejë ju Bashkinë e Rrogozhinës si shtëpinë tuaj të parë.
Do të bëjë gjithçka që të përmirësojë çdo muaj dhe çdo vit jetën tuaj, infrastrukturën në territorin e kësaj bashkie, suksesin e bizneseve në territorin e kësaj bashkie. Suksesin e bizneseve në territorin e kësaj bashkie, zhvillimin e fermave dhe suksesin e fermerëve të territorit të kësaj bashkie. Zhvillimin e turizmit, një degë për të cilin Rrogozhina ka një potencial të madh për tu zhvilluar edhe më shumë.
Ju garanton se Shkëlqim Hoxha, si njohës i shkëlqyer i ekonomisë dhe biznesit, bashkinë e Rrogozhinës do ta shndërrojë në një bashki model për qytetarët e saj, bashkitë fqinje dhe vendin.