Nga Alfred Lela
Në stonaturën e përgjithshme që krijon në publik ‘grupimi Alibeaj’, një qëndrim politik kërcet më shumë se të tjerët. Aversioni apo padurimi që ata deklarojnë për Partinë e Lirisë dhe Ilir Metën. Ky qëndrim, që niset për të krijuar etikë dhe moralitet, kthehet kundër vetes duke dëshmuar një kolaps, sa etik aq dhe politik. Në planin etik, të njëjtët personazhe e kanë pranuar, pa bërë zë dhe as dhënë dorëheqje, koalicionin e Partisë Demokratike me PL (asohere LSI), vite më parë. Pra, nuk kanë pse përbuzin një gjë që u ka shijuar dikur.
Në planin politik, duket sikur nuk kanë agjendë fitoren, dhe nuk bëjnë ç’është e mundur për të mposhtur Ramën, duke u tubuar edhe ata ‘me të gjitha qelbësirat’, siç bëri Rama vetë në 2013, kur lëpiu gjithë të pështyrat për Metën.
Në planin e komunikimit, ata harrojnë ose bëjnë sikur, se gjuha e tyre përputhet me të Ramës. Nëse e shmangim me gjithsejt akuzën e Berishës dhe të medias, se pozicioni i Aliebaj & Co vjen për faktin se janë vegla në duar të Ramës, çka nënkupton një ujdi financiare, mjafton njëjtësimi i gjuhës politike me kryeministrin për t’i kualifikuar ashtu.
Kushdo që rimerr një prej blloqeve kryesore të komunikimit të kundërshtarit politik, edhe nëse nuk është i lidhur me të, i kryen një shërbim. Nëse nuk paguhet, aq më keq: I bie që të jetë debil politik.
Madje, për të qenë të saktë, Alibeaj & Co. rimarrin dy blloqet kryesore të komunikimit politik të Ramës. Përveç anatemës për Metën, nuk e heqin nga goja as pengesën që u jep Berisha për të qenë ‘opozita e vërtetë’ me statusin non grata. Pra, ua hedhin të huajve fajin që ata vetë tingëllojnë si Rama, sepse as nuk thonë dot se Berisha e meriton non gratën, por përsërisin ‘e dinë amerikanët’. Ja, edhe një moment tjetër merhumësie politike. Në politikë kur mban qëndrime dhe mezi bie në sy; ata që komunikojnë gjysma-gjela pikëpamjesh pikasen për anti-politikë: si mbledhës indulgjencash të vogla.
Në terma më të shkoqur, kjo gjuhë dhe veprim i lë pa identitet. Nëse qeveria e mbulon mungesën e identitetit pikërisht me një fushatë permanente negative anti-Berishë dhe anti-Metë, skena politike nuk ka nevojë për një shtesë në katin e kësaj përsëritjeje, dhe as për një indentitet tjetër të munguar. Kush përdor të njëjtat mjete është një slitë qeveritare që sheshon me gjuhë që del nga goja e ‘opozitës’.
Edhe përpjekja për të krijuar apo imagjinuar një ndryshim nga PD e Berishës, nuk se ka çelur kokrra. Pa fushatë, pa kandidatë, pa protesta anti-qeveritare dhe pa njerëz, Alibeaj & Co i ngjan një OJQ që, për të marrë fonde nga donatorët e huaj bën sikur rri në mes dhe kritikon, si qeverinë edhe opozitën.
Ata që votojnë më 14 maj duhet ta kenë parasysh këtë. Nëse në Shqipëri, jo rrallë zgjedhjet kanë qenë mes së keqes më të vogël dhe më të madhes, këtë herë kanë edhe vibratorin pa bateri të një surprize. Në lista do të jetë një grup kollovarësh politikë që bën si Partia Demokratike, por nuk është asgjë. E shumta që mund të mbahet mend: disa rozadobë që pastrojnë haurët e qeverisë.