Gazetarja Anduena Llabani u shpreh në Task Force me gazetaren Sonila Meço, në Syri Tv, se tre janë pistat ku po hetohet për sulmin me kallashnikov ndaj Top Channel, ku për pasojë humbi jetën punonjësi i sigurisë.
“Pista më kryesore lidhet me investimet e reklamave në Top Channel, ku pjesë të shumë sponsorave edhe për shkak të disa reality show që kishte televizioni në fjalë. Por nuk përjashtohet as ajo e kohëve të fundit siç është ndryshimi i pronësisë, apo proceset që kanë kaluar në Gjykatën e Lartë lidhur me pronësinë përfundimtare të shoqërisë. Në fund fare ka edhe një pistë tjetër që është më pak e besueshme, ose zero përqindje e mundshme, vrasja e punonjësit të sigurisë për gjakmarrje i cili prej vitesh punonte në këtë institucion“, u shpreh ajo.
Gazetarja Llabani shpjegon edhe arsyen pse ngjarja nuk po hetohet nga SPAK dhe pse nuk klasifikohet si sulm terrorist.
“SPAK nuk do të fusë hundët ende në një hetim të tillë edhe pse në media insistohet me të gjitha mundësitë që ky është një akt terrorist. Por SPAK nuk e sulmon si sulm terrorist ngjarjen e somte edhe për faktin se ka ndodhur në një orë të vonë kur nuk ka patur punonjës në godinë. Vdekja aksidentale e një punonjësi të sigurisë në godinën e Top Channel nuk e bën të një rëndësie kaq të veçantë që një hetim i tillë të kalojë në SPAK. Ky është shpjegimi që na dhanë prokurorët”, tha Llabani.