“100 mijë euro për çdo informacion”, policia zbardh dinamikën e sulmit në TCH

0
155

Policia ka zbardhur dinamikën e sulmit ndaj televizionit Top Channel ku mbeti i vrarë roja i sigurisë Pal Kola, 61 vjeç.

Për çdo informacion nga qytetarët ofrohen 100 mijë euro. Policia ka vënë në dispozicion numrin 069 41 10 299 për të marrë pista që do të çojnë në kapjen e autorëve.

Sipas të dhënave deri tani bëhet fjalë për 3 të përfshirë, shoferin dhe dy persona që kanë qëlluar me AK-47 në drejtim të godinës së Top Channel më datë 27.03.2023, rreth orës 00:30.

Nga veprimet hetimore të kryera deri tani rezulton se automjeti i autorëve është fiksuar nga kamerat e sigurisë, në zonën e Kasharit. Ky automjet ka lëvizur në rrugën dytësore të autostradës Durrës-Tiranë, ka dalë përballë godinës së televizionit Top Channel dhe në atë moment autorët kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të godinës së televizionit.

Autorët, pasi kanë qëlluar me armë zjarri, janë larguar me shpejtësi përsëri nëpërmjet rrugës që kanë ardhur, për në drejtim të Durrësit, dhe në orën 00:36 janë fiksuar nga kamerat e sigurisë në zonën e Kasharit. Në orën 00:55, shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë kanë marrë njoftim për djegien e një automjeti, në autostradën Durrës-Rrogozhinë, në vendin e qujatur “Përroi i Agait”.

Në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 25 gëzhoja model 56, 5 predha dhe 9 copëza predhash municioni luftarak. Brenda automjetit janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 2 armë zjarri model AK-47, si dhe sende të tjera që lidhen me automjetin, si targa e parë e automjetit, 4 gëzhoja model 56 të plasura si pasojë e djegies etj.

Policia bën me dije se autorët i kanë përdorur të dyja armët e zjarrit, ku 20 gëzhoja janë qitur nga një armë zjarri dhe 6 gëzhoja janë qitur nga arma tjetër. Automjeti i përdorur nga autorët është i tipit “Range Rover Sport”, me ngjyrë kafe, i cili ka rezultuar i vjedhur më datë 10.07.2020, në fshatin Tale  të Lezhës. Ky automjet i është vjedhur një shtetasi kosovar, i cili ishte me pushime në këtë zonë, ndërsa targat e automjetit “AA 456 HC”, janë  kallëzuar të vjedhura më datë 31.12.2022, në qytetin e Tiranës.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here