Dy gjurmë ADN-je, prova e vetme e policisë për sulmin ndaj Top Channel të cilat do dërgohen në “Europol”

0
163

Dy gjurmë ADN-je dhe një seri pamje filmike të sekuestruara në ambientet e “Top-Channel” dhe bizneseve të zonës, janë provat e vetme që policia e Tiranës, ka për ngjarjen e mitralimit të fasadës së televizionit dhe vrasjes së rojes, Pal Marku.

Prova biologjike e ADN-së është fiksuar në një prej gëzhoja, të gjendura shumë pranë makinës tip “Range-Rover, e cila u zbulua nga policia teksa digjej në vendin e quajtur “Përroi i Agait” në Kavajë.

Grupi i hetimit në policinë e Tiranës, do dërgojë këtë provë ADN-je në laboratorët shkencorë në “Europol”, me qëllim krahasimin me gjurmët e tjera të ADN-ve, që janë të regjistruara në policinë qendrore europiane.

Por përpara se të kryhet kjo procedurë, policia do marrë në pyetje dhe analizojë profilet e 6 ekspertëve, që kanë kryer veprime në vendngjarje. Ka dyshime se ndonjë prej ekspertëve mund të ketë kapur prova pa doreza.

Kjo pasi ka dyshime se profili biologjik në njërën prej gëzhojave, mund të jetë lënë gabimisht nga vetë ekspertët. Nga ana tjetër, policia ka shpresuar në gjetjen e gjurmëve të gishtave në pjesën e targës së parë të padjegur nga zjarri.

Por shpresat janë shuar, kur nga laboratori shkencor ka mbërritur përgjigja se nuk ka asnjë gjurmë identifikuese. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me dy pjesë të tjera të makinës që kanë mbetur pa djegura, në të cilat nuk është gjendur gjurmë.

Pa asnjë rezultat ka qenë dhe ekspertiza e gëzhojave, të cilat treguan se dy armët automatike, nuk janë përdorur në ndonjë ngjarje tjetër kriminale.

E vetmja shpresë e policisë për zbardhjen e ngjarjes së rëndë të regjistruar në orët e mesnatës së Hënë, është analizimi i të dhënave në Lion të Francës.

Lidhur me këtë ngjarje të rëndë, policia e Tiranës dhe Vlorës shoqëruan e morën në pyetje Roberto Papçin, ish-dhëndrin e viktimës Pal Marku. Papçi, tregoi se nuk ka asnjë lidhje me ngjarjen, pasi po largohej në orën 03:00 të natës drejt Vlorës për të blerë një makinë.

Pas 10 orë shoqërim, Roberto Papçi, është lënë i lirë së bashku me shokun e tij. Ndërsa 4 telefonat e tyre janë mbajtur të sekuestruar.

Policia aktualisht nuk ka asnjë person të dyshuar, ndërsa ka vendosur si shpërblim një shumë prej 100 mijë euro në këmbim të çdo informatori që tregon autorët e krimit të rëndë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here