Si po tkurret numri i të rinjve në vend, rënia më e madhe në Berat dhe Gjirokastër

0
127

Numri i fëmijëve dhe adoleshentëve në vend po vjen në ulje konstante, duke reflektuar si plakjen e popullsisë, ashtu dhe rënien e lindshmërisë.

INSTAT ka publikuar “Treguesit e Mirëqenies së Fëmijëve, Adoleshentëve dhe të Rinjve në Shqipëri Të dhëna mbi periudhën kohore 2017-2021”.

Popullsia e Shqipërisë, më 1 janar 2021, rezulton 2.829.741 banorë, nga të cilët 579.203 janë fëmijë (0-17 vjeç). Si rezultat i rënies së popullsisë me 1,6%, gjatë pesë viteve të fundit (2017-2021), edhe numri i kësaj grupmoshe ka ardhur duke u zvogëluar, duke shënuar çdo vit mesatarisht 3% fëmijë më pak.

Pesha që zënë grupmoshat e popullsisë 10-19 vjeç (adoleshentë) dhe 15-29 vjeç (të rinj) ndaj popullsisë gjithsej, rezulton përkatësisht 12,4%, dhe 22,7%. Në krahasim me vitin 2017, pesha e këtyre grupmoshave është gjithashtu në rënie (Figura 1).

Në nivel qarku, pesha që zënë fëmijët rezulton më e lartë në Kukës (24,7% të popullsisë së qarkut), ndërsa më e ulëta në Vlorë (18,3%). Gjatë pesë viteve të fundit (2017-2021), numri i fëmijëve ka ardhur duke u ulur gradualisht në të gjitha qarqet, me uljen më të ndjeshme në Gjirokastër dhe Berat (24% dhe 20% përkatësisht). Ndërsa Tirana dhe Durrësi kanë uljen më të vogël (përkatësisht 3% dhe 6%), krahasuar me fillimin e periudhës, ndihmuar kjo edhe nga prurjet e migrimit të brendshëm, që i ka kthyer tashmë në dy qarqet me përqendrimin më të lartë të popullsisë së vendit.

Projeksionet e popullsisë, të ndërtuara për vitet 2019-2031, tregojnë se, në vitin 2021 popullsia përkon me skenarin e rritjes së ulët, ku vdekshmëria dhe migrimi janë të larta, ndërsa lindshmëria e ulët. Projeksionet e popullsisë me këtë skenar, parashikonin për një popullsi prej 2.841.549. Nëse do të ndiqet ky skenar, në vitin 2031 përqindja e grupmoshës 0-17 vjeç ndaj totalit të popullsisë, pritet të bjerë në 17,7%.

Gjatë vitit 2021, kanë lindur rreth 27.2 mijë foshnja (12% më pak se në vitin 2017), ndërsa kanë vdekur rreth 30.5 mijë individë. Si rrjedhojë, shtesa natyrore e popullsisë (diferenca midis lindjeve dhe vdekjeve), në këtë vit, është rreth -3.3 mijë banorë. Në 2021, koeficienti bruto i lindjeve, që shpreh numrin e lindjeve të gjalla me popullsinë mesatare për 1.000 banorë të të njëjtit vit, ishte rreth 9,7, duke shënuar rënie krahasuar me vitin 2017, kur ishte 10,7 lindje për 1.000 banorë (Figura 2).

 

Lindin më pak foshnje femra

Në 2021, lindshmëria te femrat 15-19 vjeçe ishte 12,1 foshnja të lindura për çdo 1.000 femra të kësaj grupmoshe. Ky tregues ka pësuar rënie krahasuar me vitin 2017, kur shënonte 16,3 për këtë grupmoshë (Figura 4).

Numri mesatar i viteve që një i porsalindur sot pritet të jetojë (viti 2021), nëse vazhdojnë normat aktuale të vdekshmërisë, është 74,4 vjet për meshkujt dhe 78,7 vjet për femrat, duke vazhduar trendin zbritës të vitit 2020, në krahasim me periudhën 2017-2019 (Figura 5).

INSTAT thotë se ky botim përfaqëson pikënisjen e asaj që institucionet përgjegjëse shtetërore dhe jo- shtetërore që operojnë në fushën e të drejtave të fëmijëve, adoleshentëve dhe të rinjve pritet të bëjnë, duke i vendosur këto statistika zyrtare në kontekstin e duhur. Përdorimi i tyre në kuadër planifikues, monitorues, vlerësues, do të luajë rol thelbësor në sjelljen e ndryshimeve konkrete në jetët e fëmijëve, adoleshenteve dhe të rinjve në vend.

INSTAT thekson se Statistikat e shëndetësisë me në qendër fëmijët, adoleshentët dhe të rinjtë në Shqipëri, janë shumë të rëndësishme për marrjen e vendimeve dhe për planifikimin e shërbimeve shëndetësore.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here