Kryeministri Edi Rama iu rikthye akuzave për mediat gjatë një konference për shtyp të martën me drejtorin e Bankës Botërore për Shqipërinë, Emanuel Salinas, ndërsa theksoi se mediat ishin gjithashtu një vatër korrupsioni në vend.
Në përgjigje të pyetjes së BIRN nëse raportet ndërkombëtare dhe akuzat e ngritura ndaj disa ish-ministrave flasin për keqqeverisje, Rama tha se korrupsioni është një fenomen i përgjithshëm, ku përfshihet edhe media.
“Brenda pushtetit të katërt ka segmente shumë të korruptuara deri edhe kriminale. Pastrim parash dhe evazion fiskal me përmasa të mëdha,” tha Rama.
“Është korrupsion i një niveli kriminal, sepse është i bazuar te shantazhimi, është i bazuar te gjobvënia e bizneseve, gjobvënia e aktorëve publikë për përfitime financiare, të padeklaruara kuptohet se janë kriminale,” tha Rama, ndërsa shtoi se “jo e gjithë media është kështu”.
Lidhur me akuzat e ngritura ndaj disa ish-ministrave të kabinetit të tij, Rama ia atribuoi këtë suksesit të luftës antikorrupison.
“Çfarë do të thotë kjo, një ministër në burg, dy ministra në burg, tre ministra në burg, një zëvendës kryeministër nën hetim, që nuk është akoma zyrtarisht, çfarë do të thotë kjo? Është pozitive kjo në luftën kundër korrupsionit apo është negative?”- pyeti ai, duke shtuar se nuk kishte pritur që Reforma në Drejtësi të konfirmonte që të gjithë janë engjëj.
Qeveria e drejtuar nga Rama po përballet me gjykimin e njërës prej aferave më të mëdha korruptive, atë të inceneratorëve, për të cilën ish-ministri Lefter Koka dhe ish-zyrtarë të lartë qeveritarë janë në burg, ndërsa ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj është nën hetim.
Duke iu përgjigjur të njëjtës pyetje, përfaqësuesi i Bankës Botërore tha se bashkëpunimi me qeverinë shqiptare kishte qenë transparent dhe se projektet e përbashkëta kishin kontribuar pikërisht për të luftuar fenomenin e korrupsionit.
Shqipëria vijon të mbetet në stanjacion që nga viti 2018 në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit të Transparency International, me 36 pikë në vitin 2022 dhe poshtë mesatares botërore të 43 pikëve./BIRN/