Vala e ndërtimeve, që ka përfshirë sidomos kryeqytetin dhe zonat turistike, kryesisht jugun, po reflektohet edhe në treguesit ekonomisë.
Sipas të dhënave të INSTAT, ndërtimi dhe pasuritë e paluajtshme ishin dy sektorët që udhëhoqën rritjen ekonomike në vitin 2022, duke shënuar nivele rekord të qarkullimit të parave. (shiko grafikun: Normat e rritjes reale sipas aktiviteteve ekonomike, 2022).
“Pasuritë e paluajtshme- real estate” ishin sektori më rritjen më të lartë në 2022, me 11.21%. Jo vetëm ky zgjerim është më i larti nga të gjithë sektorët e tjerë në 2022, por ai shënoi dhe një rekord më vete, duke pasur ecurinë më të mirë të dy dekadave të fundit.
Me përjashtim të vitit 1998, kur vinte nga rënia e fortë e 1997-s (për shkak të krizës së piramidave), ky sektor nuk kishte parë asnjëherë rritje dy shifrore. (shiko grafikun: Aktivitete të pasurive të paluajtshme, Rritja reale vjetore e PBB-së, 2000-2022).
Në vlerë pasuritë e paluajtshme arritën në rekordin e 119 miliardë lekëve, ose mbi 1 miliardë euro [Prodhimi i brendshëm bruto me çmime korrente], (shiko grafikun: Aktivitete të pasurive të paluajtshme, PBB me çmime korrente).
Edhe ndërtimi ka arritur një nivel rekord në 2022, me vlerë prej 207 miliardë lekësh, ose 1.7 miliardë euro. (shiko grafikun: Ndërtimi, PBB me çmime korrente), me një rritje reale prej 10.71.
Ndërtimi dhe blerjet e pasurive të paluajtshme janë rritur ndjeshëm vitet e fundit, duke reflektuar disa faktorë, si shtimin e kreditimit nga bankat për blerjen hipotekore, kthimin e vendit në një destinacion turistike që ka nxitur blerjet e të huajve dhe hyrja e parave informale, me këtë të fundit që sipas ekspertëve të pasurive të paluajtshme vlerësohet si një faktor i rëndësishëm që ka nxitur si ndërtimet, ashtu edhe blerjet.
Paraja informale dhe blerjet e të huajve shpjegojnë dhe rritjen e tregut të pasurive të paluajtshme, pavarësisht emigracionit të lartë dhe reduktimit të populsisë.
Pasuritë e paluajtshme përmendeshin në raportin e fundit të Drejtorisë së Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave gjatë vitit 2022, si një nga skemat kryesore të pastrimit të parave në vend.
Raporti citon “investime të larta në pasuri të paluajtshme me burim të panjohur fondesh”, apo “investime në pasuri të paluajtshme dhe aktivitete tregtare nga persona të përfshirë në veprimtari kriminale”.
Tendenca e ndërtimeve pritet të vijojë, të paktën në kryeqytet, bazuar në lejet e ndërtimit të dhëna në 2022. Sipas Statistikave të INSTAT, në vitin 2022 u dhanë gjithsej nga Bashkia e Tiranës leje ndërtimi me sipërfaqe prej rreth 1.81 milionë metra katror.
Në krahasim me një vit më parë, ky tregues u rrit me rreth 10%, ndërsa ka shënuar nivelin më të lartë historik, të paktën që nga viti 2005, kur INSTAT i raporton të dhënat ë detajuara sipas qarqeve.
Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) në raportin e fundit për Shqipërinë paralajmëroi se ekonomia është e ndjeshme ndaj një ndryshimi në rritjen e çmimeve të pasurive të paluajtshme, pasur parasysh kontributin në rritje të sektorit në ekonomi dhe ekspozimin në rritje të bankave.
FMN rekomandon që të adresohen mangësitë e rëndësishme të të dhënave për pasuritë e paluajtshme dhe ndërtimet dhe të garantohet një mbikëqyrje e zgjeruar e ndikimit të këtij sektori në stabilitetin financiar.
Monitor