Universiteti i Havardit në semestrin e ri ka futur edhe mësimin e gjuhës shqipe. Revista Harvard Magazine ka bërë me dije se leksionet fillestare të shqipes I filluan këtë semestër, të vendosura në departamentin e gjuhëve dhe qytetërimeve të Lindjes së Afërt (NELC), departament që ofron gjithashtu edhe gjuhë të tjera.
Edona Cosovic, e bija e emigrantëve shqiptarë nga Mali i Zi, ishte një nga studentët që nxiti të prezantonte gjuhën. E rritur në Shtetet e Bashkuara, ajo mësoi të fliste shqip joformalisht në shtëpi, por e kuptoi se ishte e vështirë të mbante kontakt me gjuhën, pavarësisht dëshirës së madhe.
“Kur isha fëmijë, prindërit e mi nuk kishin para për të na marrë televizionin shqiptar. Ne jemi në shkollë gjithë ditën, dëgjojmë TV amerikan, gjithçka është në anglisht, dhe prindërit gjithashtu po përpiqen të mësojnë anglisht sepse po punojnë këtu dhe po përpiqen gjithashtu të bëjnë para, kështu që ne e humbasim gjuhën shumë, shumë shpejt,”-tha ajo.
Në mars 2022, Cosovic testoi për mundësinë e një kursi në Harvard, i cili tani është i vetmi universitet “Ivy League” që ofron mësim shqip. Megjithatë, gjuha ka një trashëgimi të gjatë mësimore në Shtetet e Bashkuara. E nxitur nga valët e hershme të emigrantëve shqiptarë, shqipja mësohet vetëm në disa institucione të zgjedhura amerikane, duke përfshirë Universitetin Shtetëror të Arizonës, Universitetin DePaul dhe Kolegjin Mercy në Dobbs Ferry, Nju Jork.