Oferta e PS për 14 Majin: Tallava dhe eros!

0
391

Nga Gëzim Saliu

Nën skenarin e një skene filmi, ku kreu i qeverisë ishte aktori protagonist dhe punonjësit e Kryeministrisë luanin rolet shoqëruese, Edi Rama kërkoi mendimin e qytetarëve lidhur me këngën që partia Socialiste do të përdorë si kolonë zanore për fushatën e zgjedhjeve lokale të 14 Majit.

Në sfond dëgjohej një këngë tipike ‘tallave’, e cila sic edhe pritej mori aprovimin e ‘të ftuarve” me një telefonatë në zyrën e kryeministrit. Pas këtij “okej” aspak sfilistës, Rama kërkoi edhe mbështetjen e ndjekësve në rrjete sociale, duke i pyetur nëse e pëlqenin këngën si kolonë zanore të fushatës. Dhe komentet e atyre që në rrjet tashmë njihen si ‘punonjësit e sufllaqeve’ vërshuan me aprovime dhe pëlqime të njëpasnjëshme.

Kaq! Spektakli u mbyll!

Pasdite na u shfaq një tjetër fytyrë e propagandës së pushtetit. Një shfaqje e cila më shumë se një ceremonie që sinjifikon hapjen zyrtare të fushatës i ngjante një vakie ku i afërmi i të ndjerit (kupto partinë) mbante fjalimin dhe ata që kishin ardhur për të ngushëlluar po prisnin me padurim fundin. Një sqarim sa qesharak aq edhe të pabesueshëm dha kryeministri për formatin e nisjes së fushatës dhe vazhdimin e saj, duke deklaruar se fondet do të përgjysmoheshin pasi pjesa e mbetur do të përdorej për të mbjellë pemë. “Nuk do ketë as postera e as banera”, tha Rama duke u mburrur se po mbronte paratë e qytetarëve.

Një pushtet që ka në gjenezë betonin nuk mund të hiqet publikisht si ambientalist, aq më pak si mbështetës i interesit qytetar, interes të cilin e ka shkelur me këmbë sa herë i është shfaqur mundësia për të përfituar politikisht dhe financiarisht.

E gjithë tollovia e ditës u mbyll siç nisi, me tallava. Kënga e përzgjedhur nga Rama, zyrtarisht kolona zanore e fushatës së PS-së, detyrimisht ishte kthyer në ‘hit’ për të gjithë të pranishmit. Nga të rinjtë e FRESH te deputetët e së fundmi Veliaj, bënin çmos që të shfaqeshin sa më të gëzuar në sy të kryetarit, i cili dëfrehej mes turmës me një ritëm që as në ëndrrat e tij më të këqija nuk e kishte menduar ndonjëherë se mund të ishte kolonë zanore e fushatës së partisë që drejton. Por strategjia dreqi ta hajë e kërkon kështu; një popull që kënaqet e mbush jetën me big brother, padyshim zgjidhje ka tallavanë.

Mirëpo, kolona zanore e fushatës nuk ishte e vetmja çudi e socialistëve për 14 Majin. Rama kishte rezervuar një tjetër surprizë, e cila padyshim do të lërë shenjë më shumë se e para. Slogani i PS në këto zgjedhje, sa erotik aq edhe viral; “Kurrë më Mbrapa, Vetëm Përpara”.

Nuk do ta besoja kurrë se ai/ajo që qëndron pas këtij slogani nuk e ka menduar asesi efektin seksist në këtë frazë të përzgjedhur. Madje dyshoj fort se ka qenë edhe kjo arsye e përzgjedhjes së tij! Viraliteti i një slogani ndryshon padyshim nëse mbi të hedh ‘nota’ erotizmi. Kthehet në meme, përflitet në rrjet gjerësisht e për më tepër shënjon fushatën. Nuk ka asnjë problem efekti negativ që i jepet, mjafton dendësia e shfaqjes së tij.

Nga makineria e Rilindjes mund të pritet jo vetëm kaq, por në vazhdim mos u habisni nëse janë të rezervuar edhe të tjera ‘çudira’.

Nisi me tallava e erotizëm, presim se si do përfundojë…

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here