Kryeministri Edi Rama, njëkohësisht kryetar i Partisë Socialiste, deklaroi sot nga Lezha se ambicia e tij është që të ardhurat për frymë të shkojnë në 10 mijë euro në vit.
“Më në fund, pas shumë përpjekjesh e reformash, këmbëngulje e me shumë durim arritëm të bëjmë një rritje historike të pagave që erdhi si rezultat i rritjes së mundësive financiare, se për të folur është kollaj. Edhe pagat në sektorin privat po rriten”, tha Rama.
Ai theksoi se të ardhurat për frymë në Shqipëri gjatë qeverisjes socialiste këto 10 vite në pushtet janë rritur nga 3300 euro në 6400 euro.
“Atëherë kupton se si kanë ndryshuar gjërat. Nuk është mjaftueshëm, është larg së qeni mjaftueshëm, por ambicia ime është që ta çojmë në 10 mijë euro”, tha Rama.