Në Shqipëri ata që janë mësuar të përfitojnë nga paratë publike, nuk kënaqen me shumat e majme, as me mospërfilljen për dëmet që i shkaktojnë mjedisit, por duan të shantazhojnë dhe kërcënojnë edhe zërat kritikë që guxojnë ti dalin kundër. Kjo po ndodh edhe me kompanitë që na lanë në derë dy tecet lundruese të sjella nga Bangladeshi, e që marrin plot 94 mijë dollarë qira në në ditë pa prodhuar asnjë kilovat energji. Exelerate Energy” dhe “Renco” që u përshkruan si shpëtim nga Kryeministri Rama, dhe Belinda Balluku, promovimin e të cilëve e bëri si zakonishte edhe ambasadorja amerikane Yuri Kim do të fusin në xhep plot 68 milionë dollarë për dy vjet.
Rreziku nga Tec-et
Por të vendosura në Gjirin e Vlorës ato nëse punojnë rrezikojnë të ndosin keq këtë zonë duke shkaktuar një dëm të ngjashëm me naftë sikur 100 mijë makina, të bënin 100 km çdo ditë brenda përbrenda qytetit. Ky është pretendimi i ambientalistit Lavdosh Ferruni, i cili e ka denoncuar ashpër këtë katastrofë mjedisore, jo vetëm për dëmin që i bën Vlorës, por edhe për të shkuarën e errët të kompanisë që ka sjellë në Shqipëri termocentralet me emra ekzotikë “Tigri 1” dhe “Tigri 2”. Por Lavdosh Ferruni do të përballet me një çështje penale nga kompania që fut në xhep plot 94 mijë dollarë qera në ditë, pa bërë asnjë punë. Ky është një rast i paster i ngacmimit juridik (judicial harassment), që tenton ti mbyllë gojën zërave kritikë. “Shumë e shpifur kjo akuza e shpifjes nga Dega Renco SPA Albania ( shkurt RENCO)” – thotë Ferruni. “Unë po bëhem gati për një akuzë serioze ndaj RENCO së bashku me kompaninë Excelerate Energy, si dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministrinë e Mjedisit, me shumë të ngjarë ERE, qe sapo ka miratuar lincencen për KESH, së bashku me vehtë KESH për këtë veprimtari me pasoja shumë të rënda për Vlorën dhe vendin-përfundon Ferruni”. Aktivisti i mjedisit pati bërë një shkrim ku paralajmëronte për rrezikun që kishte vendosja e këtyre TECeve në gjirin e Vlorës ku ai hidhte hije dyshimi edhe për kompaninë që i sillte ato si të lidhur me mafien italiane. Ai mbështeti edhe protesta qytetare në qytetin bregdetar që ishin kundër vendosjes së këtyre ndotësve lundrues. Në fakt frika mjedisore e Lavdosh Ferrunit nuk u sendërzua sepse TEC-et ende nuk janë vënë në punë, por ama hijet korruptive që ai denoncoi mbeten.
Dështimi i lundruesve nga Bangladeshi
Termocentralet që mbërritën nga Bangladeshi në Shqipëri shtatorin e kaluar, nuk kanë punuar asnjë ditë ndonëse ardhja e tyre u shit si një çlirim i dytë nga Belinda Balluku dhe Yuri Kim.
“Sot, Shqipëria ka mundësinë të ketë dy njësitë gjeneruese të energjisë në një nga momentet më të vështira, ku i gjithë tregu në të gjitha shtetet, kanë lobuar për të pasur njësitë gjeneruese që ka pasur tregu. Këto janë një fat për ne, pasi do të na ofrojnë një energji elektrike që sot, tregtohet përmes bursave, me më shumë se 600 euro për megawat/h”, ka deklaruar Balluku në 26 shtator 2022.
Por tashmë parashikimet e Ballukut për çmimet e energjisë janë rrëzuar.
Një hulumtim i faktoje.al, ka zbuluar se përse TEC-et që i paguajmë aq shtrenjtë nuk punojnë: Së pari, Korporata Elektroenergjetike Shqiptare ende nuk e ka marrë licencën e prodhimit nga Enti Rregullator i Energjisë. Se dyti, KESH-it i mungon edhe sasia e lëndës së parë djegëse që i nevojitet termocentraleve për t’u vënë në punë. Se treti, termocentralet as nuk janë testuar ndonjëherë që nga Shtatori i vitit të kaluar. E fundit, është fakti se tashmë energjia në bursa është më e lirë dhe termocentralet nuk kanë leverdi të vihen në funksionim. E njëjta sasi energjie që do të prodhonin TEC-et lundruese është më pak e kushtueshme nëse blihet. Po çfarë bëjnë kompanitë që marrin paratë? Mundohen të friksojnë kritikët. Zëri i fortë kundër këtij skandali, Lavdosh Ferruni do të përballet në 5 maj në Gjykatën e Tiranës me Renco SPA, për veprën penale të shpifjes. Fabula është e thjeshtë: duan të marrin dhe paratë pa punë, s’duan as ti bezdisin.