Nga Lutfi Dervishi :
Agjërim… digjital
Po sikur të provonim agjërimin digjital?
Të shkëputemi, jo për një muaj, por le të themi për tre ditë nga bota dixhitale për t’u rilidhur me atë reale.
Si fillim duhet thënë se agjërimi digjital mund të jetë më i rreptë se agjërimi i zakonshëm. Nëse gjatë agjërimit në muajin e Ramazanit ke syfyr dhe iftar, agjërimi digjital mund të mos jetë kaq bujar. Nuk bëhet fjalë vetëm për të kaluar telefonin në silent, apo për ta fikur atë disa orë. Jo! Agjërimi digjiital është një premtim që i bën vetes për t’u shkëputur nga të gjitha gjërat dixhitale.
Kjo do të thotë pa instagram, pa Facebook, pa tik tok, pa e mail, pa mesazh, pa ëhatsapp, pa Netflix, pa video lojëra, pa… asgjë.
Është si të kthehesh në epokën e gurit.
Ndokush mund të tallet me idenë e agjërimit dixhital. Aq më tepër që sot kur dalim nga shtëpia harrojmë portofilin, çelesin e makinë por kurre sesi celularin! Sot kur e kemi provuar që mundtë jetojmë pa ujë dhe pa drita, por jo pa internet.. “Është si të më kërkosh të heq dorë nga ajri”.
Le të supozojmë për një moment se vendoset agjerim digjital…
Imagjinoni që do të keni aq shumë kohë të lirë sa nuk do të dini se çfarë të bëni. Mund të lexoni një libër. Ka 600 vjet që është provuar se leximi I librave nuk te sjell asnjë dëm. Mund të dilni për një shëtitje. Mund të flisni me një shok a mik, madje mund të flisni edhe me njerëzit e shtëpisë. Mund të zbulosh një hobi të ri. Ndoshta mund të flini pak më shumë gjumë.
E imagjinoni një ditë pa u shpërqëndruar nga njoftimet e celularit dhe pa e parë atë 200 apo 300 here në ditë
A e duroni dot qetësinë që merr kur “divorcohesh” nga bota digjitale?
Ata fatlumë që e kanë provuar thonë se është si të kesh hequr 10 kg mbi peshë nga trupi.
Por sigurisht si çdo ilaç edhe agjërimi digjital ka efekte anësore, që duhen patur mirë parasysh:
Nuk do të kesh mundësi të ndash jetën tende private me të panjohur.
Nuk do të shohësh çfarë ha filani, ku pushon filanja dhe ku argëtohet Ypsiloni.
Duhet të mësohesh të jetosh pa bërë like dhe komente.
Duhet të mësosh trupin me rreze dielli dhe ajër të pastër.
Duhet të mësohesh që të jetosh pa lodhje të syve dhe dhimbje koke. Nuk është e lehtë, por ndoshta ja vlen të provohet.
P.S Dhe mbi të gjitha kur i thua shefave: “jam me agjërim” ke justifikim pse nuk ke shkarkuar aplikacionin akt1visti dhe nuk ke bërë normën e likeve dhe komenteve.