Igli Cara, kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për bashkinë e Durrësit është ndalur edhe tek afera e Portit të Durrësit, por edhe tek rindërtimi, që sic tha ai ka dështuar.
Në fjalën e tij para opozitarëve në Durrës, Cara theksoi se si porti i Durrësit edhe rindërtimi janë vjedhje e pastër.
Sipas tij, taksat e qytetarëve nuk shkojnë për ta, por për miqtë e Ramës. Ndaj, ai u kërkoi durrsakëve që ta votojnë atë në zgjedhjet e 14 majit. Kjo datë, u shpreh Cara, është simbolika e bashkimit.
“Ky është nje megaskandal më i madhi në Evropë, jo për vlerën por për mënyrën si është bërë, pa transparencë dhe pa garë.
Të gjithë ne jemi pjesë e bashkisë së Durrësit dhe pushtetet janë të ndara. Nëse ky investim do bëhej, bashkisë së Durrësit nga 2.1 mld euro, 231 mln euro duhet të ishin në arkën e bashkisë para se të niste projekte. Por kjo nuk ndodhi sepse u falën me vendim të qeverisë.
100 mijë votues janë në Durrës, pra secilit i ka marrë 2300 euro në xhep. Kjo është vjedhje e pastër. Këto para nuk janë të Ramës, janë të qytetarëve të Durrësit.
Ne këtë nuk mund ta pranojmë. Jemi pro projekteve të zhvillimit, por marina detare që nuk zë 1% të vlerës nuk mund të mbulojë këtë vjedhje të madhe.
Edhe portin e ri që do bëhet, edhe ai do bëhet me paratë tona. Do na i marrin ne, paratë tona.
Rindërtimi një plagë, nuk ka gjetur zgjidhje, as 50% nuk është bërë. Sot kemi 19 shkolla të papërfunduara dhe shumë qytetarë që nuk kanë shtëpitë e tyre. Bashkia duhet të jetë e barabartë për të gjithë qytetarët.
Nuk ka ndodhur që paraja që mblidhet të ndahet në mënyrë proporcionale, por shkon tek miqtë e Ramës.
14 maji është simbolika që na bashkon dhe unë besoj në mbështetjen tuaj”, u shpreh ndër të tjera Igli Cara.