Ndërsa të ardhurat nga tatimi mbi vlerën e shtuar (TVSH) u ngadalësuan ndjeshëm për dy mujorin, madje në shkurt ishin në tendencë rënëse, arkëtimet që buxheti mbledh nga tatim fitimi i bizneseve ishin në rritje.
Sipas statistikave të Ministrisë së Financave, në janar-shkurt në buxhet u derdhën 4.87 miliardë lekë nga sipërmarrjet si tatim fitimi, me një rritje të fortë prej 22% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, nga 4% që ishte zgjerimi i të ardhurave tatimore totale në buxhet.
Ndonëse tatim fitimi i bizneseve parapaguhet, rritja e të hyrave nga ky zë sinjalizon se sipërmarrjet kanë pasur më shumë të ardhura dhe më shumë fitime nga shtrenjtimi i çmimeve. Për vitin 2022, inflacioni mesatar arriti në 6.7%, që është dhe niveli më i lartë që nga viti 1998, kur vendi vuajti krizën e piramidave.
Edhe individët kanë derdhur të ardhura rekord në buxhet, në formën e tatimit mbi të ardhurat personale (një pjesë e konsiderueshme e këtij zëri vjen nga tatimi mbi pagën).
Sipas statistikave të Ministrisë së Financave, të hyrat nga tatimi mbi të ardhurat personale arritën në 9 miliardë lekë, një nivel rekord ky, me një zgjerim të fortë prej 27% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Ky zë ka shënuar rritjen më të fortë në buxhet në përqindje dhe vlerë së bashku me të ardhurat nga sigurimet shoqërore e shëndetësore.
Rritja e pagave në 2022, me mbi 10% mesatarisht dhe ndryshimi i pagës minimale dhe automatikisht asaj maksimale dy herë gjatë viti të kaluar kanë ndikuar që buxheti të arkëtojë më shumë para nga pagat e individëve. Individët me paga të larta kanë dhe tatimin më të madh në vend, me 23% mbi rrogat që i kalojnë 200 mijë lekë në muaj.
Ndërsa individët që marrin dy paga prej tre vitesh i deklarojnë këto paga deri në fund të prillit të vitit pasardhës dhe ato tatohen si një e vetme, duke rezultuar shpesh me me pagesa shtesë.
Rritja e lartë e të hyrave nga bizneset përmes tatim fitimit dhe individëve, përmes tatimit mbi të ardhurat për pagën ka kompensuar ecurinë e dobët të të ardhurave nga TVSH-ja, që për dy mujorin u zgjeruan me vetëm 3.2% (të ndikuara nga janari, teksa shkurti ishte negativ).
Gjatë vitit të kaluar, të ardhurat në buxhet u rritën me ritme të larta të ndihmuara nga shtrenjtimi i çmimeve.
Por këtë vit çmimet e larta duket se kanë frenuar konsumin, duke i ndikuar negativisht arkëtimet nga TVSH-ja. /Monitor