Nga Gent Strazimri
(Një paradite me Belindin)
Tezgat e rrobave të përdorura janë i vetmi seksion i tregut që gëlon nga gjallëria.
Tregëtarë që bërtasin duke reklamuar mallin, klientë që rrëmojnë nëpër pirgje plaçkash të zhubrosura e dala boje, a këpucësh të shtrembëruara nga përdorimi.
Më kujton 1991, tregun e “Gabit” që gjallonte në çdo cep të qendrës së Tiranës, kudo ku kishte një shesh mes pallateve!
Është një Tiranë që nuk e dija se ekzistonte më, të paktën jo në këto përmasa, ndaj afrohem me telefonin në dorë për ta fiksuar si pamje…
Dëgjoj një frazë të prerë “ej, mos filmo” por, një çast para saj isha stepur deri në pendesë prej ndjesisë se jam në vendin dhe momentin e gabuar…
Ndodhem mes një rrëmuje njerëzish, kryesisht gra dhe vajza, që rrëmojnë në një pirg veshjesh intime të përdorura… të zverdhura, harta harta…
Fus me shpejtësi telefonin në xhep në shenjë bindjeje instiktive, si çdo njeri i zënë në faj dhe i penduar!
Kërkoj një fjalë a një gjest për t’u shfajësuar, e për t’u shpjeguar që nuk kisha si qëllim t’i fyeja në dinjitet…
Por jo, nuk ndjeheshin të turpëruar… thjeshtë kishin frikë nga kamera, aparati…
Kishin parë që isha me Belindin…(?!)
Nuk arrita të kuptoj se ç’mund t’i bëjë më shumë se aq një pushtet, një individi të shtrënguar, të reduktuar të jetojë në ato kushte… A ka më kuptim t’i kesh frikë?!
Ngjitur, një barakë zdralesh nga del tym, aromë mishi të keq dhe tinguj tallavaje përzier me zëra të dehurish…
Duket se nuk bien dakord dhe grinden për Ukrainën…
“Mjerimi ka motër ngushëlluese gotën.
Në pijetore të qelbta,
pranë tryezës plot zdrale të neveritshme,
shpirti me etje derdh gotën në fyt,
për me harrue nandhetenand’ halle.”
Është Tirana migjeniane, më pak se 2 km larg Bashkisë “evropiane”…