Sali Berisha prezantoi kandidatin e koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Bashkinë e Maliqit, Alfred Gega. Në fjalimin e tij përpara të pranishmëve kreu i Partisë Demokratike tha se entuziazmi i njerëzve është fryma e fitores dhe më 14 maj do jetë triumfi i demokracisë.
“Të dashur miq është për mua një nder i madh, një kënaqësi e veçantë të paraqes sot kandidatë për kryetar bashkie njërin nga bijtë më të shquar të Maliqit, njërin nga bijtë më të respektuar të kësaj treve, por ju them këtu njërin nga humanistët më të shquar shqiptarë sot, pasi Alfred Gega mishëron në mënyrën më të shkëlqyer të gjithë aftësitë profesionale të mjekut me njerëzinë e madhe të një humanisti të shkëlqyer.
Alfred Gega vjen sot para jush, pasi gjatë karrierës së tij mjekësore ka trajtuar me mijëra e mijëra të sëmurë, por edhe pas gjatë karrierës së tij mjekësore u është përgjigjur ditën dhe natën, në çdo kohë kërkesave, telefonatave tuaja dhe të qytetarëve të Korçës për t’i ndihmuar ata vetë, apo me kolegët e tij, çka e vendos atë në një nivel shumë të lartë të humanizmit mjekësor.
I gjithë ky entuziazëm, kjo frymë është energjia e ndryshimit të shumëpritur. Është fryma e një fitoreje e cila më datë 14 maj, jo vetëm do të vendosë Alfred Gegën si qytetar të parë të Maliqit, dhe kandidatë të Primareve në mbarë vendin, por është fryma e triumfit të demokracisë, vlerave, fryma e ndryshimit të madh, është fryma e cila do të shpëtojë shqiptarët nga pushteti i atyre që përdorën atë në mënyrën më të shfrenuar për pasurimin e vet.
E përdorën atë në mënyrën më të pamëshirë për vjedhjen tuaj. E përdorën atë në mënyrën më të pamëshirë për mashtrimin tuaj. E përdorën atë në mënyrë të pamëshirë për përzënien tuaj nga votat tuaja, dhe sot të pashpirt, të pangopur, pasi kanë përzënë 1 milionë shqiptarë në 8 vite.”