Firmosur, vulosur dhe premtim i mbajtur! Kështu presidentja e Parlamentit Europian, Roberta Metsola, njofton përmbylljen e suksesshme të procesit të liberalizimit të vizave për Kosovën, me nënshkrimin e aktit ligjor të BE-së.
Qytetarët do të mund të lëvizin lirshëm në zonën shengen duke nisur nga 1 janari i vitit 2024, kur hyn në zbatim dhe sistemi ETIAS. Pas ceremonisë së nënshkrimit, përfaqësuesit e Kosovës dhe të parlamentit europian dolën në konferencë për shtyp për të konfirmuar se ky vendim i jep fund padrejtësive të viteve të fundit karshi shtetit të Ballkanit Perëndimor.
‘Kosova ka punuar shumë për t’i plotësuar gjitha kushtet për liberalizim të vizave dhe i ka përmbushur ato para shumë vitesh,” u shpreh Thijs Reuten, raportues për Kosovën në PE për vizat.
“Liberalizimi i vizave vjen me një sërë detyrimesh, si kufizimi i mjeteve financiare, dokumentet që duhet t’i kesh me vete, numrin maksimal të ditëve të qëndrimit. Do të kemi tetë muaj për t’i informuar qytetarët për të gjitha kufizimet,” deklaroi zv/kryeministri i Kosoves Besnik Bislimi.
Hapi i radhës mbetet shqyrtimi i aplikimit të Kosovës për anëtarësim në BE.
“Bashkimi Europian duhet të merret me aplikimin e Kosovës për anëtarësim me të njëjtin dedikim dhe thellësi dhe shpejtësi të njëjtë sikur kemi bërë me aplikime të tjera. Sa i përket pesë vendeve që ende nuk e njohin formalisht Kosovën, besoj se ky hap që po e bëjmë tani dhe përpjekjet që janë bërë për normalizimin e marrëdhënieve, janë sinjale edhe për këto vende që të lëvizin drejtë njohjes formale,” tha Reuten.
“Marrëveshja e fundit midis Kosovës dhe Serbisë fillon me paragrafin ku dy shtetet e njohin njëri-tjetrën si partner të barabartë. Kjo do të duhej të përdoret si pikë fillestare, si palë të barabarta që të ecim parapara në procesin e euro-integrimit. Duam të shohim të njëjtin frymë edhe për aplikimin tonë në Këshillin e Europës por edhe për aplikimin për statusin e vendit anëtar,” shtoi Bislimi.
E pranishme në Strasburg ishte dhe ministrja e jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, gjithashtu edhe ministrja e Suedisë, Jessika Rosëall, e cila e përfaqëson Këshillin e Bashkimit Europian. Përmbyllja e këtij procesi është përshëndetur nga liderët dhe politikanët në Kosovë.