Floriana Garo, Zëdhënësja e Partisë Demokratike, i ftoi qytetarët shqiptarë sot të denoncojnë te portali “Transparenca.com”, një iniciativë e re e PD-së, për çdo shkelje që do të vërejnë gjatë procesit të zgjedhjeve vendore të 14 majit. Në mesazhin e publikuar në Fb, znj. Garo shpjegoi në detaje se çfarë konkretisht mund të sinjalizohet në PD.
“Sot prezantuam portalin transparenca.com – një vend ku mund të raportoni në anonimat të plotë nëse dëshironi, çdo shkelje para, gjatë dhe pas procesit zgjedhor të 14 majit! Çfarë mund të raportohet?
Blerja e votës. Përdorim i mjeteve dhe fondeve të shtetit për qëllime zgjedhore. Kërcënim verbal ose fizik për votën tënde apo të familjarëve të tu. Ryshfet në këmbim të votës. Cenim i të votuarit në fshehtësi. Marrja e kartës tënde të identitetit në këmbim parash. Jeni shtyrë të votoni për dikë kundër dëshirës suaj. Ke prova që vota që ke hedhur në kuti është manipuluar gjatë numërimit,” radhiti zëdhënësja e Partisë Demokratike.