Qeveria ka njoftuar ngritjen e një task-force për monitorimin e veprimtarisë së administratës publike gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet lokale të 14 majit.
Pas akuzave nga opozita dhe shoqëria civile për blerjen e zgjedhjeve nëpërmjet bonusit te pensionistëve dhe premtimeve për rritjen e pagave, Rama ka vendosur të ngrejë një task-forcë për të kontrolluar veten. Dhe drejtimin e kësaj task-force e merr zv.kryeministrja Balluku, e cila është drejtuesja politike e qarkut të Dibrës në këtë fushatë elektorale dhe rezulton gjithashtu zyrtarja më e akuzuar nga opozita për përdorim të aseteve publike në fushatë.
“Akti i tretë ka të bëj me ngritjen e një task-force për monitorimin e veprimtarisë së administratës publike dhe të sjelljes së administratës publike dhe përdorimin e burimeve njerëzore dhe financiare dhe infrastrukturës gjatë procesit zgjedhor. Këtë task-forcë do ta kryesojë zv.kryeministrja. Është një masë shtesë që merr qeveria shqiptare gjithmonë në drejtim të garantimit të procesit zgjedhor të 14 majit 2023”, tha sot Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja.
Vendimi ngjan paradoksal për shkak se nga njëra anë janë vetë ministrat që u japin urdhër punonjësve të përfshihen në fushatë, e nga ana tjetër zv.kryeministrja Balluku do t’i kontrollojë ata që të mos shkelin ligjin.
Opozita e ka akuzuar qeverinë për përdorimin e burimeve të administratës publike në fushatën zgjedhore dhe zv.kryeministrja Balluku është përmendur në disa raste për shfrytëzimin e punonjësve të administratës në fushatë.
Ndërkohë që vetëm një ditë më parë u publikuan mesazhe kur mësuesve në Rrogozhinë u bëhej presion të merrnin pjesë në aktivitetet e partisë socialiste, në të kundërt do të largoheshin nga puna.
Po ashtu tre javë para zgjedhjeve, qeveria miratoi edhe projektligjin për rritjen e pagave, që do t’i kushtojë buxhetit të shtetit rreth 38 miliardë lekë.
“Ky projektligj i hap rrugën disa kompetencave të qeverisë për të përcaktuar disa kategori pagash që janë diskutuar edhe më herët. Sot kemi filluar dhe miratuar disa projektvendime për rritjen e pagave për sektorin shëndetësor, arsimor dhe sigurisë, konkretisht për policinë e burgjeve, gardën dhe zjarrfikësit. Në zbatim të vendimit të marrë më parë, nga 1 prilli do të rriten edhe pagat e punonjësve mbështetës të administratës publike. Kjo rritje do të jetë e ndarë në dy faza. Pra rriten me pagat e vitit 2023 ndërsa do të ketë rritje edhe në vitin 2024. Kostoja vjetore e cila e plotë do të jetë për vitin 2025 e rritjes së pagave është në nivelin 38 miliardë lekë”, tha Ibrahimaj.
Këto fonde janë parashikuar që të mblidhen nga rritja e të ardhurave.