Ish-ministri i qeverisë së Sali Berishës, Gazmend Oketa, i ftuar këtë mesditë në rubrikën “Opinion” në News24, u shpreh se në 14 maj të gjitha gjasat janë që bashkia e Durrësit do të fitohet nga Igli Cara, kandidatura e koalicionit “Bashkë Fitojmë”.
Oketa u shpreh ndër të tjera se Igli Cara është një figurë politike që ka se çfarë të japë për Durrësin, ndërsa shton se kandidatura e tij mbështetet edhe më shumë se vetë strukturat e PD në këtë qytet.
“Mbështes Igli Carën dhe besoj se është vërtetë një kandidaturë që ka çfarë i ofron Durrësit. Më vjen mire që nga kolegë të tjerë, marr komente që Cara është më para se strukturat e PD në Durrës, që do të thotë se ka mbështetje më të gjerë se vetë anëtarësia, duke e bërë kandidat potencial për të fituar dhe për të filluar një epokë të re ndryshimi”, tha ai.
Ndërkohë sa i përket fushatës që po bën Partia Socialiste, Oketa shprehet: Në mënyrë krejt paradoksale, qyteti i Tiranës është mbushur me postera denigruese për opozitën dhe që na e nxjerrin me ca ngjyra shumë të bukura kryeministrin e vendit. Në vend që të flasë për arritjet e tij, fatkeqësisht Rama e ul jashtë mase nivelin politik. Këtej thotë se njeh PD e Alibeajt, por bën përpjekje për të minuar PD e vërtetë që drejtohet nga Berisha duke sulmuar ata, pra i njeh si opozita reale.