Nga Erisa Xhixho
Banorët e zonës së Vilave Amerikane në Njësinë 2 përballen çdo ditë me problemin e rrugës “Kolë Kamsi”, e cila në kohë shirash, për shkak të rrëshqitjes së dherave, bllokohet, duke i izoluar si të ishin në fshatin më të largët të vendit. Kërkesat e tyre janë injoruar nga Bashkia, ndaj janë detyruar disa herë ta hapin vetë rrugën. Mbi 80 familje që preken nga bllokimi i rrugës nuk çojnë dot fëmijët në shkollë dhe në rast nevoje, ambulanca apo zjarrfikësja e ka të pamundur të hyjë. Duket i paimagjinueshëm një realitet i tillë në një nga zonat më elitare të Tiranës, ku ndodhen disa prej ambasadave të huaja. Megjithatë, këta qytetarë, taksapagues të rregullt, nuk marrin shërbimet që u takojnë dhe zëri i tyre nuk dëgjohet. Më 14 maj, ata do të votojnë ndryshimin, sepse duan një bashki që u shërben qytetarëve!