42 vjet pas shpërthimit vdekjeprurës me bombȅ në një sinagogë të Parisit, një gjykatë në kryeqytetin francez ka dënuar një profesor universiteti libano-kanadez për kryerjen e sulmit. Gjykata vendosi që Hassan Diab, tashmë 69 vjeç ishte i riu që vendosi bombȅn me motoçikletë në Rue Copernic më 3 tetor 1980. Nga shpërthimi 4 persona u vranë dhe 38 të tjerë u plagosën.
Diab refuzoi të merrte pjesë në proces, por gjyqtarët i dhanë atij dënim të përjetshëm. Prokurorët kishin argumentuar se ishte “përtej dyshimit të mundshëm” se ishte pikërisht ai pas vendosjes së bombës. Mbështetësit e tij e kanë konsideruar gjyqin si “qartësisht të padrejtë”.
Sulmi i Rue Copernic ishte i pari që godiste hebrenjtë në Francë që nga Lufta e Dytë Botërore dhe u bë një model për shumë sulme të tjera të ngjashme të lidhura me militantët nga Lindja e Mesme në vitet që pasuan. Hetimi prej dekadash, merrej shpesh si shembull për konfuzionin e stërzgjatur gjyqësor, si dhe për vendosmërinë e rreptë të një grushti prokurorësh për të mos lënë rastin të harrohet.
Diab, 69 vjeç, një libanez me origjinë palestineze që mori shtetësinë kanadeze në 1993 dhe jep mësime sociologjie në Otava, u kosniderua për herë të parë si i dyshuar në bazë të provave të reja në vitin 1999, gati 20 vjet pas vrasjes. 8 vjet më vonë autoritetet franceze lëshuan një urdhër arresti ndërkombëtar dhe vetëm në vitin 2014 Kanadaja pranoi që ai të ekstradohej.
Por në vitin 2018, gjyqtarët francezë e shpallën çështjen të mbyllur për mungesë provash, duke lejuar Diab të kthehej në Kanada. Në vitin 2021, Gjykata e Lartë franceze e rrëzoi mbylljen e çështjes, hera e parë që kjo kishte ndodhur ndonjëherë në një çështje terrorizmi. Kjo do të thoshte se gjyqi mund të vijonte. Seancat rinisën në fillim të këtij muaji.
Që në fillim Diabi protestoi për pafajësinë e tij dhe nuk është kthyer më në Francë për gjyqin, i cili u zhvillua në mungesë të tij. Një kërkesë e dytë ekstradimi do të duhet të pwlotësohet, por me dyshime të forta nëse do të ketë sukses.
Komiteti i Mbështetjes së Hassan Diab në Kanada i bëri thirrje kryeministrit Justin Trudeau që ta bënte “absolutisht të qartë” se asnjë ekstradim i dytë nuk do të pranohej. Ata thanë se 15 vjet “makth” ligjor… tani është plotësisht i ekspozuar në mizorinë dhe padrejtësinë e tij dërrmuese.
Gjatë 3 javësh, gjykata dëgjoi një renditje të fakteve të njohura të çështjes, plus argumentet që identifikonin Diab si sulmuesin, por edhe argumentet e mbrojtjes që sugjeronin se ai ishte viktimë e identitetit të gabuar.
Asnjë nga ekipi fillestar hetues nuk ishte gjallë për të folur dhe dëshmitarët e mbijetuar që panë sulmuesin në vitin 1980 të gjithë pranuan se pas më shumë se 40 vjetësh kujtimet e tyre ishin shumë të mjegullta për të qenë të besueshme.
Bomba u la në një çantë në shalën e një motoçiklete Suzuki jashtë një sinagoge. Po të mos kishte vonuar shpërthimi, trotuari do të ishte i mbushur me njerëz që po largoheshin nga shërbimi fetar që po kryhej brenda. Në vitin 1980 hetimi fillimisht u përqendrua te neo-nazistët dhe pati demonstrata masive nga e majta politike.
Sulmuesi u identifikua se kishte një pasaportë të rreme qipriote që mbante emrin Alexander Panadriyu. Ai besohej se kishte hyrë në Francë nga një vend tjetër evropian si pjesë e një grupi më të madh dhe se e kishte blerë motoçikletën në një dyqan pranë Harkut të Triumfit. Ai mendohej se i përkiste një grupi disident palestinez të quajtur Fronti Popullor për Çlirimin e Palestinës-Operacione Speciale (FPÇP-OS).
Vetëm në vitin 1999 emri i Hassan Diab doli nga informacione të reja, që besohet se erdhën nga ish-blloku sovjetik. Autoritetet italiane kishin zbuluar që në vitin 1981 se pasaporta e një personi të quajtur Hassan Diab ishte gjetur në aeroportin e Romës në posedim të një personaliteti të lartë nga FPÇP-OS. Pasaporta kishte vula që tregonin se mbajtësi kishte hyrë dhe dalë nga Spanja rreth datave të sulmit në Rue Copernic.
I marrë në pyetje ndërsa ishte në paraburgim, Diab shpjegoi se kishte humbur pasaportën vetëm një muaj para sulmit. Por në Liban, një gjykatës francez gjeti një deklaratë zyrtare për pasaportën e humbur, një deklaratë e bërë në 1983 dhe me datë humbje në prill 1981.
Mbrojtja argumentoi se e gjithë kjo ishte rrethanore dhe se nuk kishte ende prova të forta që Diab të kishte qenë në Francë në tetor 1980. Ata nxorën dëshmi të marra nga miqtë në Bejrut, të cilët thanë se Diabi kishte qenë në provime universitare në kohën e sulmit.
Prokurori Benjamin Chambre tha me keqardhje që nuk kishte mundur të vinte para drejtësisë të gjithë anëtarët e grupit. “Me Hassan Diab, ne kemi bomba-bërësin dhe vendosësin e bombave. Kjo tashmë është diçka” – tha ai. ©LAPSI.al