Deputeti i PD Gazment Bardhi ka marrë pjesë në një takim më Kryesinë në Vaun e Dejës, ku ka deklaruar se presioni nga bandat në pushtet kërkon unifikimin e çdo opozitari rreth një kandidati të vetëm, për të mposhtur të keqen dhe për të bërë realitet ndryshimin.
Bardhi i cili nuk ka qenë i pranishëm në aktivitetet zgjedhore të kandidatit të Alibeajt në Tiranë Roland Bejko, tha se 14 maji është dita që kjo bashki të çlirohet nga pengmarrja e Edi Ramës dhe ortakut të tij, për t’iu rikthyer punëve të mira të lëna pezull që në 2019.
Në takimin me Kryesinë e Degës Vau i Dejës i shpreha gjithë mirëkuptimin dhe mbështetjen time për qëndrimin lidhur me zgjedhjet e 14 Majit. Situata e krijuar dhe presioni nga bandat në pushtet kërkon unifikimin e çdo opozitari rreth një kandidati të vetëm, për të mposhtur të keqen dhe për të bërë realitet ndryshimin”, deklaroi Bardhi.
Ai tha më tej se PD ka paraqitur një listë të shkëlqyer për Këshillin Bashkiak të Vaut të Dejës, me gra e burra, djem e vajza që e duan Vaun e Dejës dhe qytetarët e tij. Kujtojmë se kjo listë kandidatësh për këshillin bashkiak doli në mbështetje të kandidatit të Berishës, ish-deputetit Zef Hila.