Pezullimi i vizave për rusët/ Çfarë ndryshoi një vit më pas

0
117

Shtetasit rusë që duan të kalojnë pushimet në Shqipëri këtë vit duhet të aplikojnë për vizë. Vendimi për ta përjashtuar Rusinë nga lista e shteteve, për të cilat hiqen vizat gjatë sezonit turistik, u mor në mbledhjen e qeverisë të enjten dhe u njoftua nga ambasada ruse në Tiranë. Ishte bërë traditë që për hir të shtimit të të ardhurave turistike, Shqipëria pezullonte vizat nga Prilli në Shtator për rusët, por vitin e kaluar pasi nisi lufta në Ukrainë kjo çështje u shndërrua në një debat publik.

Kërkesa fillestare erdhi gjatë fjalimit të presidentit ukrainas Volodimir Zelenski para parlamentit shqiptar në 3 Maj 2022. “Kërkoj t’i kufizoni ardhjet e turistëve rusë, sepse nuk mund ta dimë se kush vjen te ju. Ndoshta vrasësit që kanë qenë në Buça apo xhelatët e Mariupolit”, tha Zelensky, duke iu referuar dy qyteteve të Ukrainës, ku forcat ruse kishin kryer krime të rënda. Ky reagim ishte paralajmëruar edhe nga ambasadori i Kievit në Tiranë, pasi qeveria shqiptare kishte vendosur heqjen e vizave për turistët rusë që nga data 1 Maji i vitit 2022.

Por gjatë një konference, kryeministri Edi Rama e refuzoi kërkesën e Zelenskit. Kur u pyet nga gazetarët, nëse mendonte se duhej ndërprerë lëvizja pa viza për rusët, Rama u përgjigj thjesht: “Nuk mendoj”. Lufta u intensifikua. Shqipëria iu bashkua sanksioneve ndaj Rusisë. Dërgoi edhe armë në Ukrainë, por kufijtë i mbajti të hapur për turistët rusë. Qeveria shqiptare nuk u tërhoq as kur qeveritë perëndimore i shtuan kufizimet.

 

Prandaj vendimi që mori të enjten tregon se diçka ka ndryshuar. Duhet thënë se vendimi vjen pas takimit që Rama pati disa ditë më parë me të dërguarin e posaçëm të SHBA për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar, i cili në intervistën për Top Channel foli mes të tjerash edhe për ndikimin e parave ruse në rajon. “Të gjithë i kuptojnë rreziqet e pastrimit të parave, rreziqet e ndikimit keqdashës rus dhe do të thoja se ne kemi një dialog të hapur me qeverinë, këtë qeveri dhe të gjitha qeveritë e rajonit se si duhet të trajtojmë atë lloj investimi, qoftë ai kinez apo rus dhe si e trajtojmë ne së bashku” u shpreh Escobar.

Turistë apo spiunë, si i sulmuan rusët ushtarët në Gramsh

Tre të akuzuarit rusët në gjykatë

Gjatë vitit të kaluar ndodhi një ngjarje që ka mbetur ende me mister. Në uzinën e armëve në Gramsh, dy shtetas rusë dhe një ukrainas u kapën duke fotografuar rrënojat e uzinës dhe terrenin përreth.

Svetlana Timofeeva 33 vjeç u arrestua më 20 gusht së bashku me Mikahil Zorin, 23 vjeç dhe ukrainasin Fedir Alpatov, 24 vjeç, pasi njëri prej tyre sulmoi ushtarët brenda rrethimit të ish-uzinës së armëve në Gramsh.

Zorin përdori spray me piper kundër ushtarëve që tentuan ta ndalonin dhe të tre tentuan të arratisen. Tre të arrestuarit njihen si blogerë dhe janë pjesë e një subkulture të quajtur “Urban Explorer” apo “Urbex”; të apasionuar për të vizituar dhe fotografuar godina të braktisura, përfshi objekte ushtarake të “Luftës së Ftohtë”.

Megjithatë, prokuroria shqiptare i akuzon ata për spiunazh dhe pretendon se treshja kishte ardhur në Shqipëri për të mbledhur informata ushtarake dhe strategjike të sigurisë kombëtare – dyshime të pranuara deri më tani nga gjykatat.

Kjo mund të jetë një arsye se përse qëndrimi i qeverisë shqiptare ka ndryshuar tashmë mbi këtë çështje.

Efekti “McGonigal”

McGonigal në Tropojë

Në anën tjetër, duhet llogaritur edhe fakti se nga viti i kaluar, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama është bërë pjesë e skandalit “McGonigal” që zbuloi ndikimin e oligarkisë ruse në nivelet e larta të FBI-së. Megjithëse në dosjen ku detajohet marrëdhënia e Edi Ramës me Charles McGonigal, ish-zyrtari i lartë i FBI-së nuk akuzohet për shërbim ndaj rusëve, sërish aty konfirmohet marrëdhënia e ngushtë që ai krijoi me kryeministrin e Shqipërisë.

Kuptohet se për sa kohë gjyqi vazhdon, nuk është rasti që Rama të shfaqet si sovranist, aq më tepër në një temë ku janë të përfshirë shtetasit rusë. Zyrtari i lartë i SHBA, Gabriel Escobar kur u pyet mbi dosjen e FBI-së ku përmendet Rama, nuk dha ndonjë përgjigje të qartë, duke thënë “nuk mund të flas për një çështje të hapur penale”./Lapsi.al

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here