Politikisht Berisha, ligjërisht…Alibasha!-

0
133
Nga Hysni Gurra 

Jetojmë në kohë të çuditshme ku tjetër gjë shohim dhe tjetër gjë duhet të besojmë. I madh dhe i vogël sheh Berishën që i prin demokratëve dhe opozitës në gjithë Shqipërinë, por duhet të besojmë se është Alibasha, sepse kështu e thotë gjykata, kështu e thotë ligji.

Shohim me sy që Berisha takon demokratët në gjithë vendin, por për hir të ligjit duhet të shohim që Alibasha takon “strukturat”.

Vetë deputetët e Alibashës thonë që shumicën në PD, nuk diskutohet se e ka Berisha, por duhet të besojmë se ligji dhe gjykata nuk e lejojnë.

Socialistë dhe anarkistë pranojnë se Berisha e udhëheq opozitën, KAS i tejfryrë me juristë thotë se Alibasha është kryetari i partisë më të madhe të opozitës.

Vetë Edi Rama pranon se kundërshtar në këto zgjedhje ka Sali Berishën dhe Ilir Metën, ndaj edhe ka mbushur posterat dhe billbordet në Tiranë dhe gjithë Shqipërinë, por paratë e opozitës për zgjedhje ja jep Alibashës sepse “kështu e thotë ligji”…

Në debatet televizive, kandidati për Tiranën i Alibashës nuk flet asnjë fjalë për Lalin, por e sigurt është se do marrë më pak vota se Lajla, por prapë ai thotë se selia na takon ne sepse vulën na e ka dhënë gjykata.

Po jetojmë një situatë komike ku aktorët e paguar nga qeveria mendojnë se po bindin njerëzit se meqë gjykata me urdhër të qeverisë ka caktuar se kush është opozita dhe kush është kryetari i saj njerëzit do ta besojnë dhe do ta votojnë. Në fakt përveç që po argëtojnë me këtë spektakël qesharak, nuk po arrijnë gjë tjetër.

Po meqë jemi në demokraci rrofshin gjykatat dhe institucionet. Rrofshin gjykatat që thonë se një grusht njerëzish janë PD-ja, rroftë e qoftë edhe KAS-i që thotë se e dimë që Berisha është shumica, e dimë se e shohim realitetin, por kemi edhe “realitetin” juridik.

E kuptojmë që tallen me veten me këto “akrobaci”, por të mos e çojmë më tej duke tallur dhe inteligjencën e publikut.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here