Banorët e fshatit Kudhës në Himarë janë lajmëruar nga kryetari i fshatit që nëse duan të legalizojnë shtëpitë e banimit, t’i dorëzojnë aplikimet pranë zyrës së deputetit të PS-së, Vullnet Sinaj dhe jo në zyrën e Kadastrës së bashkisë Himarë, siç e parashikon ligji për legalizimin e pasurive të paluajtshme.
Përmes një lajmërimi me shkrim dore të kryetarit të fshatit bëhet e ditur se zyra është e hapur dy ditë të javës, ndërsa për banorët që nuk ndodhen në fshat aplikimet do të bëhen në një fazë tjetër. Kryetari i fshatit lë në shkresë edhe numrin e telefonit për të dhënë sqarime.
Kudhësi është fshati i orgjinës së sekretarit të përgjithshëm të PS-së, Damian Gjiknuri, njeriu i dytë më i rëndësishëm në partinë qeverisëse, pas Edi Ramës.
Legalizimi i pronave ka qenë gangrenë prej dekadash në Shqipëri dhe Edi Rama premtoi se do ta mbyllte këtë proces brenda mandatit të parë qeverisë 2013-2017, por edhe pas 6 vitesh shumë pasuri ende nuk janë legalizuar, duke u përdorur si oferta elektorale në këmbim të votave.
Lajmërimi për banorët e Kudhësit
Të gjithë banorët e fshatit që duan të legalizojnë shtëpitë e banimit të paraqiten pranë zyrës së deputetit të Partisë Socialiste në Himarë z.Vullnet Sinaj për të bërë aplikimet.
Ju njoftojmë se zyra është e hapur çdo ditë të hënë dhe të premte.
Për banorët që nuk ndodhen këtu aplikimet do të bëhen në një fazë të dytë.
Për sqarime të tjera kontaktoni në numrin e telefonit 0685038868.
Kryesia e fshatit Kudhës
Kryetari Agron Velço