Policia e Skraparit ka shpallur në kërkim dy 19-vjeçarë pasi këta të fundit kanë qëlluar me armë zjarri pas një konflikti dhe më pas kanë braktisur automjetin nga i cili qëlluan.
Dyshohet se pas një konflikti të çastit, për motive të dobëta, shtetasi Anxhelo Gërmenji, 19 vjeç në bashkëpunim me shtetasin Faredin Çela, 19 vjeç, kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit të shtetasit Igli Dosti, 19 vjeç, i cili në momentin e qëllimit, ishte jashtë automjetit.
Autorët kur kanë konstatuar se po ndiqeshin nga shërbimet e Policisë, kanë braktisur automjetin dhe janë larguar në një zonë të pyllëzuar.
Njoftimi i policisë:
Skrapar
Qëlluan me armë zjarri pas një konflikti, braktisën automjetin gjatë ndjekjes nga Policia dhe u larguan në një zonë të pyllëzuar, identifikohen dhe shpallen në kërkim dy 19-vjeçarë.
Në Çorovodë, dyshohet se pas një konflikti të çastit, për motive të dobëta, shtetasi A. G., 19 vjeç në bashkëpunim me shtetasin F. Ç., 19 vjeç, kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit të shtetasit I. D., 19 vjeç, i cili në momentin e qëllimit, ishte jashtë automjetit. Nga të shtënat nuk ka asnjë shtetas të dëmtuar.
Falë reagimit të shpejtë të Policisë, u bë i mundur identifikimi i autorëve të këtij rasti, të cilët kur kanë konstatuar se po ndiqeshin nga shërbimet e Policisë, kanë braktisur automjetin dhe janë larguar në një zonë të pyllëzuar.
Shërbimet e Policisë vijojnë ende ndjekjen e tyre dhe kontrollin e zonës, me qëllim kapjen e tyre.
Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti.