Ish-kryeministri Sali Berisha hodhi një sërë akuzash në drejtim të kryeministri Edi Rama. Duke iu referuar OSBE, Berisha tha se në kohën kur Rama mori detyrën u denoncua se kishte fshehur 200 mln euro në llogari offshore.
Po ashtu Berisha akuzoi Ramën se në një kohë kur shqiptarët nuk kanë bukë të hanë, ai udhëton me avion me dhomë gjumi apo blen vazo druri 4 mln euro për ta vendosur në oborrin e kryeministrisë.
“Vetë me avion në dispozicion, me dhomë gjumi. Unë i them këtu: Përdor çdo fjalë të pistë, qarkullo në gojën tënde çdo gjë, por shqiptarët nuk të harrojnë ty që ti shëtit me avion. Në kohën kur ata numërojnë kafshatën ti blen vazon e drurit 4 mln euro në oborr të kryeministrisë. Nuk të harrojnë kurrë, që ti sapo more detyrën OSBE të denoncoi me raport se ke të fshehura 200 mln euro në llogaritë offshore dhe nuk kundërshtove dot asgjë. Shqiptarët nuk i harrojnë këto. Nuk i harrojnë shqiptarët qindra tendera që fitojnë familjaret e tu. Prandaj ai nuk vjen dot të ballafaqohet. Edhe bashkiaket e tij nuk vijnë dot sepse kanë ndjekur të njëjtën rrugë”, tha Berisha.
Ai i përmendi Ramës dy takime të tmerrshme, i pari me popullin opozitar dhe i dytë me drejtësinë amerikane për çështjen e McGonigal.
“Ai ka dy takime të tmerrshme, i pari takimi me popullin opozitar, i cili do ti presë biletën dhe do ta bëjë përgjegjës për të gjitha vjedhjet përgjegjëse dhe aktet që ka kryer, por e ka edhe një takim 100% të sigurt me drejtësinë amerikane. E pret McGonigali sepse i ka dhënë 225 mijë dollarë ryshfet me këshilltarin e tij dhe ai po gjykohet atij për ryshfetin. Ndaj dhe ne fillojmë ndryshimin më 14, ta bëjmë gati dhe para se të na kërkojnë ekstradimin ta vendosim aty ku e meriton. Shqipëria monizimin nuk e meriton, Shqipëria duhet të ndahet prej tij”, tha ndër të tjera Berisha teksa prezantoi kandidatin për kryetar bashkie në Libohovë, Adil Xhelili.