Nënkryetari i Partisë së Lirisë, Petrit Vasili foli për fushatën elektorale të kryeministrit Edi Rama. Në një intervistë në Panorama TV, Vasili u shpreh se Rama nuk ka çfarë të ofrojë përveç tallavasë dhe hajdutërisë.
“Edi Rama nuk do ofrojë asgjë me këtë fushatë. Ose hajdutrinë ose vallet dhe tallavatë që janë të denja për një klub të degraduar diku larg në Afrikë dhe nuk kanë lidhje me Europën. Banoerat janë mbyllja e një cikli të një humbje të paralajmëruar. Ai i thotë shqiptarëve se ka mbaruar. Një kryeministër pasi ka pasur katër vjet pushtetin. Ai kandidatët e vet nuk i prezanton gjëkundi.
I prezanton si gomerë. Është gjuha e turpshme e një mafiozi në hall që kupton që po ikën pushteti nga duart. Ky është një poshtërim që i bën kandidatëve të tij. Lë të kuptojmë se këtu kemi disa njerëz të vdekur nga personaliteti. Opozita është shumë krenare për kandidatët e vet. Ai u ka deklaruar shqiptarëve se ka humbur. Ju keni parë që ka turp të prezantojë këshillat bashkiakë. A kanë çfarë thonë për listën e Tiranës”, deklaroi Vasili.
Ai tha se Rama është ndjerë gjithmonë i poshtëruar përballë Metës dhe Berishës për shkak të inferioritetit që ka përballë tyre.
“E kanë kuptuar qytetarët se çfarë sharlatani dhe çfarë palaço kryeministër kanë votuar. Edi Rama ka pasur gjithmonë tmerr dhe është ndjerë i poshtëruar nga Berisha dhe Meta. Që janë burra edhe të punës, edhe të fjalës. Edi Rama nuk di të bëjë as punë, nuk di të mbajë as fjalë. Është i dobët dhe pa karakter. Këtë kompleks inferioriteti që i flet aty, sheh dy njerëz që u ka lëpirë këpucët. Sa i shikon këta shikon një inferioritet pa fund. Përballë tyre është një mi kanalesh”, tha ai.