Berisha: Rama s’ka skuadra pushkatimi si Enver Hoxha, por ka përzënien nga Shqipëria

0
112

Nga Librazhdi ku prezantoi kandidatin e koalicionit “Bashkë Fitojmë” Shefki Çota, lideri historic i demokratëve Sali Berisha deklaroi se Ccota është një kandidat i dinjitetit.

“Unë jam sot para jush jo për një fjalim, por për një bisedë të hapur, bisedë zemre me çdo qytetar të Librazhdit, por dhe çdo shqiptar.

Me 14 maj, ne shkojmë në zgjedhje dhe këto zgjedhje në vlerësimin tim më të sinqertë, para se të gjithash janë zgjedhje të çdo qytetari për veten e tij.

 

 

Nuk janë zgjedhje këto as për Sali Berishën, as për Edi Ramën, por janë mbi të gjitha zgjedhje për ju, për çdo qytetar.

Janë për interesat tuaja, janë për dinjitetin tuaj, janë për mirëqenien tuaj.

Vërtet me 14 maj ju votoni për Shefki Çotën, dhe votoni për kushon e Taulantit, por do më falni, Shefki Çota është njëri prej jush. Është një qytetar i këtij rrethi, i këtij qyteti, i cili ka qeverisur Librazhdin dhe sot vendosi që aftësitë e tij, dashurinë e tij për ju dhe Librazhdin, të kërkojë sërish votëbesimin tuaj.

Shefki Çota, sot në dallim me Shefkiun e mëparshëm, nuk është kandidat i Sali Berishës, as i kryesisë së PD, është i juaji. Ju votoni kandidatin që keni përzgjedhur, kandidatin që keni votuar, votoni kandidatin e dinjitetit tuaj. Liria e njeriut ka në thelb dinjitetin e tij dhe ju respektuat dinjitetin tuaj. Ne e respektuam atë gjithashtu.

Le të vijë Shefkiu këtu, le të vijë kusho i Taulantit, ai vjen nga xhepat e Taulantit, vjen nga skutat e Edi Ramës.

Le të më thotë një i majtë nga Librazhdi, që është pyetur apo ka dhënë votën apo mendim që kushoja të kandidojë për kryetar bashkie. Asnjë, as këtu dhe askund në Shqipëri.

Ata dolën nga bodrume mafioze dhe ju e patë vetë se çfarë përfaqësojnë”, u shpreh Sali Berisha.

Në vijim Berisha u shpreh se Rama nuk ka skuadra pushkatimi si Enver Hoxha, por ka përzënien nga Shqipëria

“Le të marrim realitetin si është sot! Ne jemi vendi me rrogat më të ulëta në rajon. Sot ne jemi vendi me varfërinë më të dhimbshme në rajon.

Por ama në vitin 2013 ishim vendi me rrogat më të larta në rajon. Ato rriteshin vit pas viti dhe me rritjen e tyre, rritej shpresa.

Kurse sot, ndaj them ju votoni për veten tuaj, sot ndodhi që rrogat u ngrinë, por çmimet nuk u ngrinë. Çmimet në kushte tregu nuk i ngrin dot njeriu. Çmimet u rritën nga viti në vit dhe sot është shumë e dhimbshme. Vetëm nga rritja e çmimeve vitin e kaluar, çdo pensionist ka lënë dy pensione për ushqime më shumë se dy vite më parë. Ka shpenzuar, sipas ekonomistëve të pavarur, 430 mijë lekë ushqime më shumë. Sepse është dyfishuar çmimi i djathit, qumështit, mishit, zarzavateve, etj.

Çdo qytetar ka lënë një rrogë më shumë. A ju kujtohet ju premtimi i Edi Ramës për rrogën e 13-të. Jo vetëm që nuk ua dha rrogën e 13-të, por u mori edhe rrogën e 12-të.

Të mbështesësh më 14 maj përfaqësuesit e Edi Ramës, mbshtet varfërinë! Çdo qytetar me integritet voton për veten e tij.

Sepse ne shqiptarët, më shumë se çdo komb tjetër, e dimë se ç’do të thotë pushtet i përqendruar në një dorë.

Çfarëdo qoftë ajo që përqendron pushteti, diktator komunist, diktator teokrat, diktator ushtarak, diktator bandit siç është rasti në Shqipëri, ai vetëm të këqija krijon për shtetasit e tij.

Po sot, cili është ai që më thotë se Edi Rama nuk ka përqendruar të gjitha pushtetet në duart e tij. Në disa aspekte, absolutisht më shumë se vetë Enver Hoxha. Ju mund të thoni pse krahasoni?

Shiko, Edi Rama nuk ka skuadra pushkatimi, nuk ka kampe përqendrimi, por Edi Rama ka përzënien nga Shqipëria. Edi Rama po përzë shqiptarët nga Shqipëria me politikat që ndjek.

Po i përzë vetëm se e di që nuk e votojnë!

Ky njeri që ka të gjitha pushtetet, si u soll me ju? Së pari dyfishoi taksat e biznesit. Së dyti, çfarë bëri për fermerët e fshatit? Ekziston një shprehje e studiuesve të diktaturave dhe ata thonë se diktaturat ndalojnë kohën në kuptimin e moszhvillimit”, theksoi Sali Berisha.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here