Nga Luçiano Boçi
Problemet kapen nga rrënja, por ato zgjidhen nga koka.
Kur një njeri vëren se një rrugë është e pashtruar dhe vendos të flasë për këtë, fjala e tij përkufizohet nga mjedisi ku ai flet.
Për një banor – një rrugë e pashtruar është një realitet i përditshëm që ai e urren. Në heshtje, por e urren! Nëse flet për të, do të thotë se është i revoltuar.
Për një administrator publik – një rrugë e pashtruar është një problem teknik: nëse i japin fondet, ai e rregullon. Por fondet i kontrollon politika.
Për një njeri që vjen nga politika, si unë – një rrugë e pashtruar (në periferi apo larg qendrës së qytetit) është një parim kushtetues i shkelur. Një rrugë e pashtruar dëshmon se banorët e të njëjtit territor nuk janë të barabartë përpara ligjit dhe ata marrin nivele të ndryshme shërbimi. Kjo rrugë denoncon njeriun politik, i cili drejton atë njësi, për të cilin banorët e asaj rruge nuk janë qytetarë të barabartë me ata të tjerët, që munden të jetojnë më në qendër.
Kjo rrugë e prishur është kësisoj pasqyra e pabarazisë sociale dhe dëshmia e hendekut ligjor që vuan vendi në tërësi.
Në këtë rast qendra e qytetit bëhet edhe qendra e interesit politik. Por edhe arsyeja e ruajtjes së status-quo -së.
Publiku në tërësi, për shkak të kësaj ploje shumë të gjatë morale – e cila i ka rrënjët tek komunizmi, është veshur tashmë me disfatizëm: kështu janë gjërat, ky është fati, kjo është Shqipëria… Për këtë arsye, një formë e natyrshme e mendimit është “të ikësh nga vendi” – si rrugë për të shpëtuar nga e keqja. E keqja në këtë rast është Vendi. Por në themel – e keqja është mënyra e të menduarit politik të atij që e drejton atë vend.
Meritokracia e munguar, hapësirat e shkelura të lirisë së ndërgjegjes, guximi i nëpërkëmbur qytetar për të pasur një rol dhe për ta luajtur atë në jetën e qytetit – të gjitha këto janë “rrugë të prishura”, që nuk na ndihmojnë të gjejmë veten, por ta humbim atë.
Ata që ikin sot nga Shqipëria – janë duke kërkuar pikat e forta të vetes, jo shanset e humbura të jetës. Ky lexim i mungon mjedisit ndërkombëtar që i paragjykon shqiptarët falë një qeverisjeje, e cila nuk i njeh më ata.
Për këtë shkak – nëse dikush në qytetin tonë vendos të rregullojë një rrugë, duhet së pari të kuptojë pse po e bën këtë.
Eshtë dëshpëruese të shohësh ethen e punimeve elektorale, rrugë që nxihen dhe lopata që lëvizin për të mbuluar kufomën e një qeverisjeje të dështuar vendore. Megjithatë, ajo mbetet aty, mes nesh – e përzishme dhe e pashmangshme si një mort – që duhet ta përcjellim me ceremoni.
Njerëzit kanë nevojë për zgjidhjen e problemeve, që duhen kapur nga rrënjët. Zgjidhja e tyre ama – vjen gjithmonë nga koka.
Këtë do të bëjmë me 14 maj!