“Në Laprakë bie propaganda, s’ka rrugë, s’ka pastrim”/ Këlliçi: Bashkia do të jetë në krah të njerëzve pas 14 Majit

0
100

Rrugë krejtësisht të amortizuara, çezma pa ujë, mbetje urbane të hedhura kudo, dhe mbi të gjitha, pronarë pa çertifikata pronësie apo pronarë që rrezikojnë të mbeten pa prona.

Kjo është panorama që të ofron sot Lapraka, një ndër zonat më të mëdha të Tiranës, por që duket se ka njohur pak ose aspak investime gjatë këtyre viteve, nga Bashkia.

Pikërisht, kjo situatë, e lënies në harresë të një zone me popullsi mijëra banorësh, ishte në fokusin e takimeve që kandidati i opozitës, Belind Këlliçi zhvilloi me banorët e Laprakës.

Fillimisht, banorët ngritën shqetësimin e projektit të hekurudhës, i cili rrezikon t’i ndajë në dy pjesë duke ndërprerë marrëdhëniet mes komunitetit dhe familjeve.

“Ndan pjesën e pallateve me pjesën e banorëve përfundimisht. Dhe ky mur duke i ndarë, i largon nga shërbimet. Kërkesa e banorëve të kësaj zone, që të lidhen edhe me qytetin në krah tjetër, është dy ose tre mbikalime në varësi të nevojës që kanë”- u shpreh një banor, si dhe kandidati për këshillian bashkiak të Tiranës Bled Marku.

Pikërisht kërkesës së Bled Markut, Belind Këlliçi iu përgjigj se ajo do të bëhet realitet pas 14 majit.

“Fjala ime është që ai projekt do të bëhet realitet pas 14 majit. Mbikalimet që janë kaq të nevojshme në këtë zonë, që kërkohet me u lidh të dyja zonat bashkë, nuk kushtojnë asgjë në një buxhet prej 246 milionë eurosh që ka bashkia e Tiranës”-u shpreh Këlliçi.

Teksa përshkoi disa rrugë të amortizuara, pa asfalt dhe krejtësisht të lëna pas dore, Belind Këlliçi denoncoi para dhjetra qytetarëve dhe kamerave të televizioneve, situatën e infrastrukturës në Laprakë.

Këlliçi kërkoi mbështetjen e qytetarëve, duke u shprehur se Erion Veliaj ka fatin e skadencës për 12 ditë.

“Shihni këtu, shihni ku kalojnë makinat përditë. Shife ku kalojnë makinat, shife këtë këtu! Kjo ka qenë kërkesë e banorëve, që kanë thënë: Belind na jep mundësinë që ne të tregojmë realitetin se nuk e shohim kurrë, as në media as në rrjete sociale, askund. Unë jam këtu për t`i shërbyer qytetarëve. Qytetarët e Tiranës nuk duhet të kenë më dallime. As të djathtë e as të majtë, as me parti e as pa parti. Jemi të gjithë qytetarë të Tiranës. Imagjinoni një nënë të re, me karrocën me fëmijë, që kalon në këtë rrugë. Kjo rrugë është në këtë gjendje tani që është thatë, po kr bie shi? Po kur bie shi, me çizme, 2023. Erion Veliaj 12 ditë e ka afatin e skadencës, 12 ditë!”-u shpreh Belind Këlliçi.

Sikur të mos mjaftojnë rrugët e amortizuara, që përkthehen në smog dhe kosto financiare për banorët e zonës dhe drejtuesit e automjeve, një tjetër problem në Laprakë është mungesa e pastrimit të shpeshtë të mbetjeve urbane. Në disa zona të kësaj lagje, Këlliçi denoncoi jo vetëm koshat plot me mbetje, por edhe ato të hedhura pranë tyre, për shkak se sipas banorëve, nuk pastrohen.

“Vetë me dorën e vet, Veliaj dhe Kryeministri kanë firmosur 430 milionë euro për pastrimin e Tiranës, shiheni ku është! Shiheni, jemi në Laprak. Jemi 3 kilometra nga qendra e Tiranës, nga zemra, nga “Sheshi Skënderbej”. Kalojnë fëmijë këtu, a kalojnë fëmijët tuaj këtu, nipër e mbesa?! Kalojnë këtu çdo ditë. Çdo ditë”,-tha Këlliçi, duke vënë theksin te faktin se pastrimi është një nga arsyet e aferës së inceneratorëve, që sot i kushton miliona euro taksapaguesve.

Në të tillë situatë, banorët nuk kursehen të shprehin pakënaqësinë ndaj Erion Veliajt, duke dhënë mbështetjen për Belind Këlliçin, tek i cili besojnë se do të sjellë ndryshimin në Tiranë.

“Flet vetë fakti, situata ku ndohet, sepse këtu ka qenë parashikuar për pleqtë, stola, ambiente, por mbi të gjitha park lojrash për fëmijët, shifeni sot?! Je i mbështetur, se ka ardhur momenti, thika te palca. Ja, ne jemi në mes të metropolit dhe nuk jemi në metropol. Unë kam 29 vjet në këtë lagje. Asnjë invsetim nuk ka ardhur. Ka ardhur koha me e ndryshu se jemi turpëruar në sy të botës. 25 vjet ka, fut letrat, bëhet rruga, bëhet rruga, inshallah po e merrni ju dhe po bëhet gjithçka”-thanë disa banorë të Laprakës.

Banorët kanë bindjen se shkak i situatës së krijuar në zonën e tyre me mungesën e investimeve nga bashkia, është fakti se ata konsiderohen si simpatizantë të së djathtës. Madje, në këtë zonë, qytetarë të shumtë denoncuan te Belind Këlliçi se nuk kanë marrë ende legalizimet e banesave, duke dyshuar se janë diskriminuar për shkak të bindjeve politike.

“As letra, as legalizim asgjë, nuk ka kqyr askush njeri se je gjall. Ne nuk e dimë arsyen pse nuk po bëhet legalizimi, kue 95% e zonës kanë marrë vetëm neve jo. Shpresojmë dhe besojmë që të mos jetë çështje politike. Një përgjigje e z.Lame thotë do prisni se kemi shumë dosje. Kemi shumë fluks dhe nuk të ka ardhur radha”,-u shprehën banorët.

Për këtë situatë, Belind Këlliçi u shpreh se qytetarët mbahen peng, në mënyrë që t’u merret vota. Por, Këlliçi u bëri apel qytetarëve, që në 14 maj të votojnë ndryshimin dhe të dalin në votime, pasi te kutia e votimit janë vetëm ata dhe Zoti dhe askush tjetër.

“Jeni me ju mbajt peng me ju marr votën, këtë e dinë njerëzit. Te kutia e votimit mos harroni, jeni ju edhe Zoti, nuk ju sheh njeri tjetër. Ndëshkojini këta për të gjithë këtë padrejtësi që ju bëjnë. T’i ndëshkojmë këta me votë për gjithë këtë padrejtësi që ju bëjnë. Të mbajnë llogari, të dalin para ligjit për si i kanë vjedhur qytetarët se janë vjedhur lekët e tua”-tha Këlliçi.

Edhe në Laprakë, Belind Këlliçi prezantoi programin e tij me 5 prioritete: Transport publik falas; nënkalimi te “Sheshi Skënderbej”; ulje e taksave dhe tarifave vendore; 500 oaze të gjelbërta si dhe ndërtim të shkollave, çerdheve dhe kopshteve.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here