Arshiva fotografike e sportistit Halit Laçej është një arshivë unikale, e rrallë në sojin e vet. Rreth 200 foto të bëra nga Marubi i famshëm, nga vëllai i Halitit, Tefiku dhe shokët e tij janë vërtetë një arshivë e pasur për historinë e futbollit shqiptar. Me dorën e tij janë shkruar mbrapa fotove emrat e lojtarëve, datat dhe rezultatet e ndeshjeve, të cilat janë te një vërtetësie, që na ndihmojnë sot pas 85 vjetëve, krahas shumë materialeve të tjera të hulumtojmë, të zbulojmë e të shkruajmë historinë e futbollit shqiptar, ose më mirë themelet mbi të cilët është ndërtuar ky sport i bukur. Kjo arshivë ndihmon historinë e futbollit, skenaristë, kameramanë e montazhierë që të krijojnë dhe prodhojnë nga ajo vërtetësi e heshur e fotove. Fakte dhe vërtetësi nepermjet ketyre fotove dha dhe dokumentari befasues per “Portierin Fluturues Halit Laçej” me rastin e 100 vjetorit të lindjes së tij.
Në këtë arshivë shihen miq, shokë ndeshje…. Sot ata marrin vlerën e tyre të pazëvendësueshme. Hulumtimi në këtë arshivë të duket si një histori e gjallë e futbollit shqiptar në vitet e para e të bën të gërmosh e të njihesh me shokë të futbollit nga më të mëdhenjtë ë vendit , shokët e Halitit si Loro Boriçi, Riza Llustra, Naim Kryeziu, Selman Stërmasi, Met Vasija, Muc Koxhaj, Xhavit Demneri, Adem Karapici, Skënder Begeja etj etj te njihesh me ata qe hodhën dhe themelet e këtij sporti dhe e zhvilluan atë me pasionin e tyre të madh. Shfletimi i këtyre fotove të rralla të bën të lexosh historinë e atyre viteve me figura, të mëdhenjtë e futbollit shqiptar, foto të rralla të paekspozuara, por edhe disa te ekspozuara të SK Vllaznia, Sk Tirana, vecanarisht ato skuadrës antifashiste, Shprefeja e Kombëtares së Shqipërisë.
Ata përbëjnë historinë e gjallë të futbollit që nga vitet 30, të ruajtura me pasion e dashuri nga portieri i madh i atyre viteve.
Ka foto të rralla në këtë arshivë, që do ti quaja thesar, po, po , thesar dhe tepër i vyer.
Fotoja ku pasqyrohet ndeshja e kampionatit 1935 midis gjimnazeve te vendit , gjimnazit 29 Nentori të Shkodrës dhe gjimnazit të Tiranës.
Gjimnazi 29 Nëntori i Shkodrës sapo festoi pervjetorin jubilar, 100 vjetorin dhe po 100 vjetorin, këtë jubilee të artë e ka dhe Haliti, nxënësi i këtij gjimnazi, personazh i ketij shkrimi së bashku me bashkëmoshatarët e tij gjimnazistë.
Jubile të artë dhe foto që pasqyrojnë atë kampionat futbollistik të atyre gjimnazistëve, qe frymëzoheshin, udhëhiqeshin dhe organizoheshin nga mësuesi i tyre shumë i talentuar Irfan Tërshana. Ai me pasionin e tij organizoi dhe ndërtoi stadiumin e atij gjimnazi.
Të duket sikur dëgjon hapat e qeta, por edhe te zhurmshme te gjimnazistëve të parë Haliti, Rifati vëllai i tij, Maliq Petrela nxenes te kësaj shkolle të lidhur me qytetin e Shkodrës dhe të gjithë nxënësit e Veriut të vendit… Sikur dëgjohen ecejaket në hyrje të këtij gjimnazi. Atje u rriten dhe u edukuan sa e sa breza sa e sa figura të rëndësishme të kombit.
Shokë të ngushtë të gjimnazit të rinisë së Halitit ishin Vojo Kushi, Maliq Petrela, Qemal Stafa etj, vend ku u ndezën shkëndijat e para antifashiste. Vetëm nga fotot e rralla të Halitit shihen si sportistët Ali Visha, Prokop Myzeqari etj etj si dhe shumë të tjerë që u organizuan për mbrojtjen e kombit dhe sot ato janë deshmorë të kombit.
Po ndeshjet e të rinjëve të “Shprefesë” , skuadrës antifashiste qe tregojne fakte të një vërtetësie spektakolare ? Pritja e topit të portierit Halit Laçej ndezte mësymjen dhe sulmin me armë ndërmjet skuadrave në kazermat e Ali RIzase ( ne fushen e qytetit të nxënësve).
Po ndeshjet e kohës qe përveç shtypit të atyre viteve tregojne vërtetësi te kësaj arshive të rrallë qe me aq dashuri e passion jane ruajtur nga familjarët e Halitit dhe kanë shumë vlerë.
Të sjellësh në celuloid figurën e portierit të madh të viteve 30 Halit Laçej si të gjallë, si një monument në 100 vjetorin e lindjes së tij, nga dora e krijuesve artiste të TVSH, Gjergj Pano montazhier, Agron Hoti kameraman me skenarin e gazetarit te mirenjohur sportiv Dëfrim Methasani ishte nje gje shume bukur . Ishte një punë e palodhur e tyre, që të gërmonin per t’u mbështetur e frymezuar te kjo arshivë unikale që pasqyronte ngjarjet futbollistike të 80 viteve më parë.
Në këtë arshivë sheh shumë foto të më të mëdhenjëve të kohës, si te spikerit brilant te kohës Anton Mazreku, që ngrinte peshe zemrat e mbarë tifozëve, por që edhe gëzonte së bashku me sportistët e skuadrës Vllaznia, skuadrës së Tiranës, por edhe të Kombëtares. Brilant me zë dhe tepër elegant në veshje e sheh në foto të përqafuar midis Halitit portier, lojtarë e tifozëve të zjarrtë të atyre viteve, mbas gëzimit të fitores.
Të respektosh të shkuarën, themelin mbi të cilin ishte ndërtuar me një vërtetësi emocionuese është shenjë e emancipimit të shoqërisë që di mirë më vonë të vlerësojë të tashmen dhe të ardhmen, ndaj kjo arshivë ka vlerën e saj të veçantë.
Kjo arshivë që flet me gjuhën e saj për historinë, kushtet, fushat për pathosin e lartë të më të mëdhënjëve sportistë të atyre viteve, për shokët me të cilët luajti Haliti.
Po fiksimi ne celuloid i shumë ndeshjeve ndërkombëtare të futbollit të Vllaznisë, SK Tiranës e Kombëtares së vendit në Beograd,Split, Dubrovnik, Tivar, Kotorr, Podgoricë, Maqedoni, Kosovë etj. Pasion i rrallë ky i sportistit Halit Laçej, që shumë ndeshje i fiksoi si histori e futbollit . Futbolli kish bërë hapa e suksese që në vitet 30.
Fotot janë të heshtura, por .. flasin më shumë. Ato konfigurojne historinë.
100 vjet gjimnaz “29 Nentori“, 100 vjetori i lindjes së Halitit, me shokë e bashkëmoshatarë,100 vjet ngjarje, luftë, sfida. Parakalojnë para nesh këto ne foto bardh e zi, që kanë vlerën, bukurinë dhe vërtetësinë tepër emocionuese dhe janë burim frymëzimi për historinë, gazetarinë, kineastë, montazhierë, që me pasionin e tyre hulumtojnë historinë e futbollit shqiptar, duke u bërë tashmë kjo arshivë, së bashku dhe me sa e sa foto te vjetra te asaj kohe në një prone që t’I shërbejë te gjitheve .
Armida LAÇEJ (E bija)